Duhen edhe pak orë deri në mbrëmje atëherë kur Partizani dhe Tirana rrëmbejnë vëmendjen e të gjithëve me superduelin e shumëpritur. Dy rivalët historik përballen në orën 20:00, në ‘Air Albania’ për herë të parë këtë sezon.
‘Air Albania’ pritet të mbushet sërish nga tifozët që i japin bukurinë kësaj përballjeje, por fatkeqsisht, një prej tyre nuk do të jetë më në shkallët e tribunave. Gerti Bogdani, tifozi i ‘thekur’ i Tiranës dhe një figurë politike mjaft e dashur për publikun, fatkeqësisht nuk jeton më.
Një ngjarje që shokoi opinionin publik shqiptar disa ditë më parë dhe një humbje e madhe për familjarët, të afërmit, por edhe ‘popullin’ bardheblu. Gerti ishte besnik i klubit duke e ndjekur shpeshherë në stadium, sidomos në derbi. Kjo shihej qartë në profilin e tij publik ku nuk mungonin foto duke mbështetur ekipin e zemrës.
Klein Strazimiri, basketbollisti i Tiranës, me një mesazh në profilin e tij në Instagram ka ndarë një foto të Gerti Bogdanit në derbin e fundit duke shkruar: Forca Tirona, fito për Gertin!