Mposhtën Gjeorgjinë në transfertë, Bajrami: Kemi marrë një fitore të madhe që do të mbetet në histori

Date:

- Advertisement -

Shqipëria ka arritur që të fitojë kundër Gjeorgjisë në transfertë. Kuqezinjtë kanë arritur tia dalin falë golit të Kristjan Asllanit në fillimin e pjesës së dytë. Pjesa e parë ishte shumë impenjative dhe foli më shumë për vendasit. Në të dytën, Shqipëria jo vetëm që shënoi me Asllanin, por kishte të paktën edhe tre mundësi të mira shënimi goli. Dy prej tyre janë shpërdoruar nga Bajrami, por për fat të mirë ia dalim në shifrat 0-1 dhe mbetemi ende në lojë për vendin e parë në grup. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë intervistat e tyre për “TV Klan”.

Bajrami: “Normalisht që të luash dy ndeshje në kaq pak kohë, ka edhe lodhje. Por sot kemi marrë një fitore shumë të madhe që do të mbetet në histori. Siç festuan ata në Tiranë, ashtu festuam edhe ne këtu”.

Duka: “Çdo ndeshje e ekipit kombëtar është shumë e rëndësishme dhe sidomos në një kompeticion si ky. Jam i lumtur që lojtarët arritën të fitojnë dhe ta merrnin atë që meritonin. Ata meritonin shumë më shumë se këto 2 humbjet e fundit. Kemi një objektiv shumë të vështirë. Kush mendon se kemi dy ndeshje në shtëpi dhe e kemi të lehtë, e ka shumë gabim. Ndoshta kështu e mendoi edhe Gjeorgjia sot. Ukrainën që kemi ndeshjen e parë në Tiranë është ekipi më me kualitet në grup, pavarësisht se është me 3 pikë. Shpresoj të kemi një paraqitje sa më të mirë përpara tifozëve tanë. Nuk më intereson sa ndeshje ka humbur apo ka fituar Gjeorgjia në shtëpi. Më intereson që fituam ne dhe e merituam. Padyshim që nuk mund t’i kemi të gjitha ndeshjet si kjo, pasi përndryshe nuk do të ishim Shqipëria, por do të ishim Spanja. Nuk po them që do të ishim Anglia, sepse edhe ajo humbi me Greqinë. Nëse e mendojmë me gjakftohtësi, Gjeorgjia nuk na rrezikoi në asnjë moment në atë periudhë kur ishim në emocion. I thashë Dakut që duhet ta kishe bërë atë gol dhe të ishim më të qetë. Silvinjo ishte aty dhe më tha që shijon më shumë kështu me emocion”.

Ismajli: “Ndeshjen me Çekinë e kemi harruar direkt që kur ikëm në hotel. Kemi menduar vetëm për Gjeorgjinë. E kemi merituar dhe e kemi dominuar kundërshtarin. Kemi pasur mundësinë të shënonim edhe 2 apo 3 gola, por s’ka problem. Jemi shumë të motivuar për ndeshjet e nëntorit. Sot Gjeorgjia kishte ndryshuar formacionin. Ishte futur me një formacion më sulmues. Por i kemi neutralizuar të gjitha aksionet e tyre. Këtë e tregoi edhe fusha. Ata edhe me një barazim do të ishin të lumtur, sepse kishin 6 pikë. Tani jemi 3 ekipe me 6 pikë dhe të shohim si do të shkojë grupi. Tashmë do të luajmë në nëntor përpara publikut tonë të zjarrtë”.

Asllani: “Prita zgjuar deri në orën 2 që të uroja vëllain. U zgjova në mëngjes dhe i thashë Fatosit që të ma bënte një bluze urimi, sepse nuk i dihej. Sot ishte një ndeshje e vështirë. E dinim që ata do të luanin kështu. Por me karakter fituam. Mbrojtëm të gjithë. Nuk ishte një ndeshje çlirimi. E dimë që kemi marrë kritika pas humbjes me Çekinë, por nuk duhet të mendojmë se çfarë thotë të tjerët. Kur ekipet mbyllen shumë nuk i prek shumë topa mbrapa linjës. Kështu që zbres unë poshtë, sepse nuk rri dot pa prekur top në lojë. Tuci më dha një super top dhe më pas shkoi brena (në rrjetë). Unë kur hyj në fushë, hyj për të fituar. Sot kemi qenë skuadër, jemi mbrojtur shumë mirë. Ishte vërtetë shumë e vështirë në këtë stadium plot me tifozë. Ishte një Shqipëri me karakter” ./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related