500 mijë firma të mledhura për referendumin në Itali: Shtetësia pas 5 vitesh, jo 10

Date:

- Advertisement -

Që prej datës 6 shtator, në Itali janë mbledhur mbi 500 mijë firma për referendumin e shtetësisë për të huajt që jetojnë në territorin e kësaj Republike.

Procesi vazhdon deri më 30 shtator dhe referendumi mund të ndërhyjë në disa pjesë të ligjit të fundit italian të vitit 1992 që kanë të bëjnë me metodën e marrjes së shtetësisë përmes natyralizimit. Aktualisht, shtetësia është e mundur të merret vetëm me mbushjen e moshës madhore dhe pas dhjetë vitesh qëndrimi “të ligjshëm dhe të pandërprerë” në territorin kombëtar. Gjithashtu ligji italian parashikon dy mënyra të tjera: shtetësinë që i jepet një personi të huaj që martohet me një italian, pas dy vjet qëndrimi pas martesës dhe shtetësia sipas lindjes, ku fëmija është shtetas italian nëse ka lindur nga prindër italianë.

Por referendumi propozon përgjysmimin e afatit pas të cilit shtetasit e huaj mund të marrin nënshtetësinë italiane nga dhjetë deri në pesë vjet qëndrim të rregullt ligjor. Riccardo Magi, sekretar i Più Europa, një nga promovuesit e referendumit thotë:

“Ne do të ktheheshim në atë që ishte parashikuar me legjislacionin e para 1992 dhe do të rreshtohemi me atë që kanë krijuar në disa shtete të tjera të BE-së”.

Pas kontrollit formal të vlefshmërisë së Gjykatës së Kasacionit dhe, më pas, shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese, konsultimi për referendumin do të mund të zhvillohet, ndoshta deri në qershor 2025.

Për qëllime të dhënies së shtetësisë, përveç qëndrimit të pandërprerë në Itali (që ky referendum propozon ta reduktojë në 5 vjet), do të mbeten të pandryshuara edhe kërkesat e tjera të përcaktuara tashmë nga legjislacioni aktual dhe jurisprudenca, si: njohja e gjuhës italiane, zotërimi i burimeve të përshtatshme ekonomike, përshtatshmërisë profesionale, respektimit të detyrimeve tatimore, mungesës së shkaqeve penguese që lidhen me sigurinë e Republikës.

Në Itali, janë rreth 2.5 milionë njerëz që i zotërojnë këto kërkesa, të cilët mund të përfitojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi (që bashkëjetojnë fëmijë të mitur) nga ndërhyrja e propozuar.

Italia është aktualisht një nga vendet evropiane më kufizuese në dhënien e shtetësisë, e cila transmetohet kryesisht nga gjaku , pra nga lindja. Shprehja latine që përdoret është ius sanguinis (e drejta e gjakut). Legjislacioni të cilit i referohet modeli aktual daton mbi tridhjetë vjet më parë dhe është krijuar për të garantuar që pasardhësit e emigrantëve italianë jashtë vendit të mos humbasin të drejtat e tyre të shtetësisë.

Në gjithë këto vite, dinamikat sociale kanë ndryshuar dhe Italia nuk ka arritur t’i japë dritën jeshile masave që shtrijnë shtetësinë për të huajt që banojnë prej shumë vitesh në territorin italian dhe fëmijët e tyre të lindur dhe rritur në Itali. Që nga fundi i viteve nëntëdhjetë flitet për ius soli ( e drejta e shtetësisë e lidhur me vendlindjen ).

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related