Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e ndodhur një muaj më parë në Don Bosko ku u vra aksidentalisht kamarierja Mimoza Paja.
Së fundmi është mësuar se një nga personat e dyshuar për këtë atentat me shënjestër Fatjon Muratin, një javë para krimit ka udhëtuar nga Gjermania në Prishtinë dhe në fundjavë ka hyrë në vendin tonë duke mos u regjistruar në sistemin TIMS. Hetuesit kanë dyshime se ky person me rekorde të theksuara kriminale i ka bërë këto lëvizje me qëllim fshehjen e gjurmëve dhe përfshirjen në ngjarjen e rëndë.
Autoritetet thuhet se kanë siguruar të dhënat e duhura që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të mundshëm të ngjarjes. Deri më tani ata janë fokusuar te dy emra konkretë: njëri i ka mbijetuar një atentati pak kohë më parë, ndërsa tjetri është personazh jo shumë i njohur por që dyshohet se është përfshirë në këtë ngjarje për motive hakmarrje.
Për zbardhjen e kësaj ngjarje, hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në qarkun e Tiranës, në Fushë Krujë e Durrës. Këqyrja e tyre me kujdes do të shërbejë për rindërtimin e lëvizjeve të autorëve para dhe pas krimit ku mbeti e vrarë Mimoza Paja dhe u plagosën 6 persona(mes tyre edhe mbesa 10-vjeçare e Pajës).
Dyshimet janë se ngjarja kriminale e ndodhur në Don Bosko ka lidhje me përplasjen mes grupeve kriminale ku është i përfshirë Ervis Martinaj dhe Fatjon Murati.