Stiven Zhang ka qenë në shkallët e “San Siro”-s për të ndjekur triumfin e Interit të tij dhe lumturia ishte e dukshme në fytyrën e presidentit zikaltër në përfundim të ndeshjes ndaj Milanit.
30-vjeçari e di se tashmë Interi është vetëm 90 minuta larg finales dhe po mendon të shpërblejë lojtarët për këtë arritje të madhe për klubin zikaltër.
Presidenti, sipas “La Gazzetta dello Sport”, po bën gati një shpërblim prej 2 milionë eurosh për skuadrën nëse do të sigurojë kualifikimin për në finale, një punë që gjithsesi e di që nuk ka mbaruar.
Ka qenë ky edhe njëri ndër motivet pse Zhang ka kërkuar që të zbresë në dhomat e zhveshjes në përfundim për të biseduar me lojtarët. Komplimentet për këta të fundit, por edhe për trajnerin Inzagi kanë qenë fjalët e para të numrit 1 zikaltër, që sidoqoftë nuk i ka kursyer këshillat.
“Çuna, kujdes sepse nuk ka mbaruar. Tani duhet të mendojmë një herë për Sasuolon dhe pastaj për ndeshjen e kthimit”, kanë qenë fjalët e Zhangut për skuadrën, në një dhomë zhveshjeje ku klima ishte vërtet festive, por mbi të gjitha mbizotëronte ndërgjegjësimi për 90 minutat që i presin.