Lëvizja Evropa Tani (PES) e Malit të Zi fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim
Ndërkohë, koalicionet shqiptare kanë arritur që të fitojnë tre deputetë, duke bërë që në Parlament të jenë 6 shqiptarë. Menjëherë pas publikimit të rezultateve shqiptarët kanë nisur festimet në Tuz. Me flamuj dhe këngë patriotike shqiptare ata kanë festuar për rezultatin e zgjedhjeve.
Në një deklaratë për mediat, më herët Nik Gjeloshaj nga Forumi Shqiptar tha se fituan dy mandate në zgjedhjet parlamentare dhe se shpreson që Mali i Zi të ketë një qeveri të qëndrueshme që do ta sjellë atë në Bashkimin Evropian.
Mali Zi mbajti sot zgjedhjet parlamentare. Lëvizja Evropa Tani (PES) e Malit të Zi fitoi me 25.5% të votave, ndërsa Partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila udhëhoqi Malin e Zi midis viteve 1990 dhe 2020, doli e dyta me 23.8% të votave.
Aleanca konservatore për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, fitoi 14.7%. Sondazhet para votimeve ishin të përafërta me rezultatet preliminare.
Sipas CEMI-t, një koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave.
Për 81 ulëset e Parlamentit të Malit të Zi garuan 15 parti dhe koalicione. Të drejtë vote kishin 542.468 qytetarë.
Sipas të dhënave të para, në këto zgjedhje votuan rreth 56 për qind e votueseve me të drejtë vote. Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik në Mal të Zi, shifra paraqet rënie të numrit të votuesve për 20 për qind, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020.