Lista e shoqëruesve të presidentit Bajram Begaj në Nju Jork ku do të marrë pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka shkaktuar jo pak habi.
Begaj ka vendosur të marrë në Nju Jork, përveç gruas dhe djalit, edhe shoqen e gruas, burrin e shoqes së gruas Asllan Baraj i cili është një biznesmen i njohur me fabrikë tullash në vend, si dhe parukieren e gruas.
Mirëpo çudirat nuk mbarojnë me kaq. Teksa Begaj i ka renditur ata si këshilltarët e tij të jashtëm, në listën me 22 persona që e shoqërojnë, numri 13 nuk ka emër.
Numri 10 i listës që ka mbajtur postin e zëdhënëses së Presidentit, nuk është e pranishme në këtë udhëtim, pasi është larguar nga ky post pak kohë më parë.
Në listë është edhe Arta Sakja, e cila si këshilltare politike e presidentit, më herët ka mbajtur postin e anëtares së kryesisë së Partisë Demokratike në Kavajë.