Ylber Ramadani ishte protagonist i fitores së Leçes në sfidën kundër Frozinones me një supergol në minutën e fundit.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka dhënë së fundmi një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku rrëfen aventurën e tij deri më tani në Itali.
Ai ka treguar se përse zgjodhi Leçen dhe cilat janë gjërat që pëlqen më së shumti nga jetesa e tij e re në Itali.
“Që në ditën e parë, këtu më kanë bërë që të ndihem sikur jam një nga ata dhe më kanë mirëpritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Jetoj në qendër të qytetit, problem kam parkimin. Dhe ushqimi është i shkëlqyer. Pastat me pomodorini dhe picat janë më të mirat”, ishin fjalët e para të Ramadanit.
Pantaleo Korvino e bleu atë nga Aberdini në verë për shumën e 1.2 milionë eurove për të zëvendësuar Morten Hjulmand, ish-kapiteni që u transferua te Sportingu i Lisbonës për shumën rekord, 18 milionë euro plus tre të tjera bonuse.
Ai shtoi: “E dija që nga dita e parë që duhet të jepja shumë më shumë. Gjithmonë 100%. Hjulmand ishte i rëndësishëm këtu dhe bëri shumë mirë. e dija që duhet vetëm të punoja, punoja dhe punoja”.
Më pas, Ramdani zbuloi dhe prapaskenat me transferimin e tij, duke treguar se për të interesohej dhe një tjetër klub italian.
“Në verë, opsion ishte dhe Hellas Verona. Por pash këtë projekt, seriozitetin e klubit dhe nuk kisha dyshime”, tha mesfushori.
Për ta mbyllur, Ramadani foli dhe për marrëdhënien me trajnerin D’Aversa, i cili tha: “Po shkon mjaft mirë, ai më ndihmon shumë dhe madje më ndihmon dhe me stërvitje personale. Ai më ka thënë që duhet të gjuaj dhe kur kam hapësira e bëj. Kam shënuar 8 gola në karrierë dhe një është me Shqipërinë”.
PANORAMASPORT.AL