Atletja Luiza Gega është shprehur e zhgënjyer për mosdhënien e shpërblimeve për vitin 2023 dhe i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që të marrë shpërblimet që i takojnë. Gega shkruante në një postim se ministria e Arsimit dhe Sportit nuk i ka dhënë shpërblim për një aktivitet ku nuk paska patur kontroll për dopping dhe se sportistët nuk e dinin nëse duhej apo jo bërë kontrolli. Fjalën e saj, sportistja e ka mbyllur duke u shprehur se do të kërkonte gjithmonë që të merrte atë që i takon dhe se nuk do ta linte me kaq.
Postimi i Luiza Gegës:
Sot e nisëm ditën me doping control. Në fakt shumë po shumë ditë të vitit janë të tilla ku që në pikë të mëngjesit je i detyruar të bësh gjak dhe urinë. Kam që në 2023 që jam në këtë sistem dhe më pëlqen fakti sepse vërtetë dua t’u tregoj qoftë të gjithë sistemeve apo qoftë dhe të rinjve që gjërat e mëdha arrihen dhe duke punuar fort. Dhe me gjithë respektin nuk ka asnjë sportist në historinë e Shqipërisë të ketë kryer kontrolle aq sa kryej unë brenda gare & jashtë gare. Dje marr vesh që ministria e Arsimit dhe Sportit nuk më jep shpërblim për një aktivitet ku nuk paska patur kontroll, ku sportisten nuk e dinë nëse ka apo s’ka kontroll, por detyra jonë është të jemi gati sa herë na kërkojnë për të bërë kontroll. E di çfarë më vjen keq? Që kam gjithë jetën time që investoj dhe vetëm dy vitet e fundit me ndryshimet e (VKM) kam arritur të marr diçka, sigurisht me djersën time asgjë po asgjë të falur. Edhe këtu gjithmonë gjejnë formë për të bezdisur. Aq më tepër që jam në vitin më të rëndësishëm, vitin Olimpik. Por për fat të keq askush nuk e kupton rëndësinë e këtij viti. Unë nga institucionet përkatëse për të më thënë “Bravo”, kam nevojë që të më japin atë që më takon dhe të përpiqen më shumë për sportin. Faleminderit & nuk do ta lë me kaq.
Por, nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka deklaruar se Luiza Gega ka marrë 13 shpërblime në bazë të rezultateve që ka arritur. Ministria sqaron se pesë prej tyre janë shpërblime për arritjet e vitit 2023, por pa sqaruar se çfarë ka ndodhur me garën për të cilën ankohet atletja.
Reagimi i plotë:
Mbështetja e sportistëve elitarë është në qendër të politikave të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. MAS i ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre përmes mbështetjes për federatat dhe përmes shpërblimeve direkte për rezultatet që kanë arritur në gara në arenën ndërkombëtare. Shpërblimet e dhëna bazohen në parashikimet e nenit 27 të Ligjit 79/2017 “Për sportin” i ndryshuar dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij. Vetëm për vitin 2023 shpërblimet e sportistëve elitarë kanë rezultuar rreth 55 milionë lekë për 23 sportistë elitarë dhe trajnerët respektive për arritjet në sportet që përfaqësojnë. Atletja jonë Luiza Gega është mbëshetur gjatë dy viteve të fundit me 13 shpërblime për 10 gara ndërkombëtare, bazuar në arritjet e saj, që nga niveli Botëror deri tek ai Ballkanik, pesë prej të cilave janë shpërblime për arritjet e vitit 2023. Do të vijojmë edhe gjatë këtij viti, duke qenë dhe një vit olimpik, mbështetjen për sportistët tanë elitarë.