Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu, shtetasin Valter Bami i akuzuar për atentatin ndaj Gentjan Bejtjas, ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë e mitur.
Bami u lirua nga burgu pasi afati 6 mujor i hetimeve nën masën e sigurisë “arrest me burg” ka përfunduar. Atij tani i është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” ndërsa hetimet për zbardhjen e atentatit të ndodhur në Larushk vijojnë ende.
Kujtojmë se atentati ndodhi mesnatën e datës 4 korrik 2023 kur Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e kunatit të tij, bashkë me nipat. Në drejtim të tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi, dhe Ramazan Sino humbi jetën direkt në vend ndërsa dy fëmijët e mitur të Gentian Bejtjas u plagosën. Autorët dogjën automjetin bashkë me 3 kallashnikovët në afërsi të Tapizës, duke humbur çdo gjurmë.
Gentian Bejtja, Durim Bami, Valter Bami dhe Mariglen Haka dikur kanë qenë miq, por shoqëria e tyre u prish pas zhdukjes së Enver Stafukës.