Një ngjarje e rëndë u regjistrua mesditën e sotme në Gramsh ku 15-vjeçari Fatjon Bici humbi jetën nga goditjet me thikë pas konfliktit me disa bashkëmoshatarë.
Ngjarja ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini, ku 5 adoleshentë u përfshinë në një sherr që përfundoi në përdorimin e thikës. Drejtoresha e shkollës, Ardiana Hasa, mes lotësh tregoi se Fatjon Bici ishte një nxënës shembullor.
“Fatjoni ka mbaruar orën e gjashtë të mësimit, ka pasur fizkulturë, ka dalë nga palestra bashkë me mësuesin e fizkulturës, ka takuar roje dhe e ka pyetur për motrën e tij nëse ka ikur apo jo në shtëpi. Pas 20 minutash më merr dikush në telefon dhe më thotë të është vrarë një nxënëse. Nuk di të them çfarë përjetova, shkova menjëherë në spital dhe më thotë mjeku që Fatjoni kishte mbaruar. Dhimbja ishte e jashtëzakonshme. Po më mbyt dhimbja, na kanë marrë jetën e një fëmije shembullor. Nuk kam qenë kurrë në dijeni që mund të ketë qenë i përfshirë në ndonjë konflikt. Para një jave prindërit e tij kërkuan të tërhiqnin letrat pasi do iknin në Greqi, dhe jam ndjerë e keqardhur që një djalë si Fatjoni do largohej. Jam e tronditur. Për 9 vite në atë shkollë, asnjëherë nuk ka qenë fëmijë problematik”, tregoi ajo në një intervistë në media.