Fëmijët dhe rinia thuhet se janë shpresa dhe e ardhmja e një vendi.
Por në Shqipëri ndodh krejtësisht e kundërta pasi fëmijët e kanë mendjen të ikin sa më parë të jetë e mundur, ndërsa të rinjtë vazhdojnë të ikin çdo ditë e më shumë.
Media britanike “DailyExpress” gjatë një vizite në fshatin Gostil të Kukësit është përballur me pakësimin e klasave për shkak të largimit të nxënësve. Ndërtesat prej betoni të epokës komuniste, të cilat dikur ishin një shkollë e vetme, tani strehojnë disa institucione të pakësuara. Arsyeja është e thjeshtë: të rinjtë po shkojnë të gjithë në Britani.
Djemtë bëjnë plane për t’u larguar nga malet në jug të kufirit me Kosovën para se të rriten. Një 13-vjeçar nga Gostili iu tregoi britanikëve ëndrrën e tij, për të ikur në Angli sapo të mbushë 16-vjeç.
“Vetëm fëmijët e vegjël mendojnë për të jetuar këtu, më të mëdhenjtë duan të ikin. Do të shkoj në Angli kur të jem 16 vjeç. Të afërmit e mi më thanë kur të jesh nën 18 vjeç është më mirë sepse shteti do të të ndihmojë sepse nuk je i rritur”.
I mituri ka shumë të afërm që jetojnë dhe punojnë në Britani, ndërsa shoku i klasës dhe shoku i tij më i mirë ka 16. Ky i fundit duke ndezur iPhone-in e fundit që një i afërm nga Britania i dha atij, thotë:
“Xhaxhai im ndërtoi një shtëpi dhe bleu gjithashtu një Audi Q7 me vlerë 67,000 £. Do të doja të kisha gjëra të tilla, gjëra të bukura dhe nuk kam asnjë mundësi nëse qëndroj”.