Etjen Zeka, një i ri nga Pogradeci, i cili braktisi Italinë për t’u rikthyer në qytetin e lindjes.
Ai u shkollua dhe jetoi disa vite atje, por zemrën e kishte në vendlindje, aty ku erdhi për të bërë ëndrrën realitet.
“Unë ika me familjen dhe kam jetuar pak a shumë 20 vite. Duke qenë se Italia nuk ishte në maksimumet e veta në atë që unë kërkoja gjeta një pasion të ri. Të them të drejtën s’kam asnjë pendim, jam i lumtur që jam rikthyer. Nuk ka si vendi jot sidomos me mundësitë që më janë dhënë,” – deklaroi Zeka.
Etjeni ka krijuar një birrë artizanale, një ide e cila i lindi rastësisht duke konsumuar birra me miqtë e tij.
“Kjo ka qenë shumë spontane, kur nisa të prodhoja birrë e bëja për shokët e miqtë dhe nuk isha vend ku ta bëja. Ne shtëpi nuk e bëja dot, ballkon jo. Në shtëpinë e gjyshit te lagjja Topleci. Me merrnin çunat me thoshin ku je, tek gjyshi, tek gjyshi, tek gjyshi dhe mbeti do e bëjmë ‘Birra e gjyshit’,” – tregoi ai.
Për Etjenin, eksperienca jashtë vendit i ka vlejtur shumë, madje ai thekson se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë, por mungon vullneti.
“Pa dyshim që për mua ja ka vlejtur, të kthehesh përveçse është ndryshim rutine ne çdo lloj situate është e vështirë por ku ke ide e pasion duhet të besosh. Askush nuk është e lehtë të cash. Sidomos jashtë. Unë jam i bindur që në Shqipëri ka mundësi të cash, është situate e vështire si kudo por flet gjuhën tende, merresh vesh me njerëzit e tu dhe ekonomia të jep mundësinë sepse gjithë të rinjtë që po ikin është gjynah,” – tha ai.
Në fund, ai ka edhe një mesazh për bashkëmoshatarët shqiptarë.
“Të kenë besim ne vetja e tyre në radhë të parë, të mos bien pre e ideve që këtu nuk bëhet e nuk çahet, të ndjekin pasionet, mos shohin lekun, të tregojnë çfarë bëjnë dhe ta tregojnë. Në Itali nuk te do njeri sa të do këtu,” – tha ai.