Policia metropolitane londineze, thotë se ka ngritur akuza ndaj një shqiptari për vrasjen e Lumturi Zeqes në vitin 2022 në Leytonstone në lindje të kryeqytetit Britanik.
Ndaj Sabajet Shutit, rëndojnë edhe akuza të tjera si plagosja e një personi tjetër, prishje e qetësisë publike dhe mbajtje e një thike.
Menjëherë pas këtij krimi Sabajet Shuti kishte mundur të dilte nga Anglia dhe kishte zgjedhur si vend fshehje Suedinë, nga ku u kap dhe u ekstradua për tu përballur me drejtësinë britanike.
Lumturi Zeqja, një 27-vjeçar shqiptar në Londër, mbeti i vrarë teksa mbronte mikun e tij gjatë një grindjeje.
Ai u vra teksa po përpiqej të mbronte mikun e tij në një përleshje në rrugë, në lindje të Londrës.
Kanë qenë miqtë ata që i janë gjendur pranë në momentin e plagosjes, ndërsa ka mbetur i shtrirë në kopshtin e ambientit ku ndodhi ngjarja. Ai u vra në Church Lane të Leytonstone në orën 23:00 para syve të miqve.
Një ditë pas vrasjes kushërira e viktimës, Violet Uka tha një koment për The Standard duke deklaruar:
“Lumturiu jetonte në Londër për 13 vjet dhe ishte një punëtor i palodhur. Ai hyri në mes të sherrit për të ndarë shokun e tij dhe e vranë. Ishte një njeri i guximshëm dhe i mirë për të ndërhyrë dhe për të shpëtuar mikun e tij. Dora e vrasësit na ka lënë të mjerë të gjithëve. Na e mori lumi në moshën më të bukur. Nuk ka fjalë për të ngushëlluar familjen e tij”.