Policia Kufitare në Dhërmi ka arritur të shpëtojë dy turistët holandezë, të cilët kishin mbetur të izoluar në një terren të thepisur, në gjirin e Filikurit.
VIDEO nga terreni ku ishin bllokuar
Sipas njoftimit të uniformave blu mësohet se mbrëmjen e djeshme salla operative e Komisariatit të Policisë Himarë është njoftuar se për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, 2 turistë holandezë të cilët po eksploronin zonën, kishin mbetur të izoluar në gjirin e Filikurit dhe se njëri prej tyre ishte dhe i dëmtuar nga rrëzimi. Menjëherë, pas marrjes së denoncimit oficerët e policisë u vendosën në lëvizje, ku pas disa orësh kërkime arritën të gjejnë turistët. Fatmirësisht të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Gjiri i Filikurit, Himarë
Kishin mbetur të izoluar në një terren të thepisur, në gjirin e Filikurit, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi iu shkojnë në ndihmë 2 turistëve holandezë, njëri prej të cilëve ishte dhe i dëmtuar, për shkak të rrëzimit.
Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Komisariatit të Policisë Himarë është njoftuar se për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, 2 turistë holandezë të cilët po eksploronin zonën, kishin mbetur të izoluar në gjirin e Filikurit dhe se njëri prej tyre ishte dhe i dëmtuar nga rrëzimi.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë 2 turistëve. Pas disa orësh kërkimi, nga shërbimet e Policisë të ndarë në grupe kërkimi përmes detit dhe përmes tokës, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e turistëve, të cilët janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, me qëllim dërgimin e menjëhershëm të tyre, në ambientet ku pushonin në Himarë.
Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Turistët holandezë kanë falënderuar shërbimet e Policisë Kufitare, për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar për t’iu ardhur në ndihmë, turistëve që vizitojnë Vlorën dhe gjithë Shqipërinë.
Policia e Vlorës fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.