Dy të rinj nga Tirana kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe goditjeve me mjete të forta në një lokal në Korçë.
33 vjeçari Igli Hoti është plagosur me armë zjarri ndërsa Artan Qershori ka mbetur i plagosur pasi u godit me mjete të forta. Të dy janë transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë autorët, tre të rinj nga Korça janë në kërkim nga policia.
Paraprakisht mendohet se të gjithë personat e përfshirë në konflikt kanë qenë në gjendje të dehur. Fillimisht autorët dhe të lënduarit janë zënë në dalje të lokalit “pse s’më hap rrugën”. Më pas, ata janë takuar në vendin e quajtur “Trekëndëshi” dhe janë konfliktuar sërish.
Njoftimi i policisë Korçë:
U konfliktuan për motive të dobëta, ku si pasojë e konfliktit mbeti i plagosur me armë zjarri një 33-vjeçar dhe u dëmtua me mjete të forta një shtetas tjetër, Policia identifikon menjëherë autorët e dyshuar të ngjarjes dhe vijon punën për kapjen e tyre.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 3, Korçë, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, midis disa personave, të nisur më herët në ambientet e një lokali dhe më pas jashtë ambienteve të tij, ka mbetur i plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi I. H., 33 vjeç dhe i dëmtuar me mjete të forta shtetasi A. Q., të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Traumës Tiranë.
Shërbimet e Policisë, kanë shoqëruar në ambientin e Komisariatit dhe po marrin në pyetje, persona të cilët kanë dijeni për ngjarjen.
Si rezultat i veprimeve të para hetimore u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe po punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.