Masakra e Shkodrës/ Dyshohet për vrasës me pagesë nga Mali i Zi, por kush i tradhtoi viktimat?

Date:

- Advertisement -

Janë zbardhur detaje të reja nga masakra e regjistruar në Dobraç të Shkodrës, ku u ekzekutuan në një atentat mafioz Hamza Lici, (vëllai i Ibrahim Licit) dhe Arlind Bushati (djali i Xhaml Bushatit, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak në Shkodër dhe kandidat për kryebashkiak).

Burime bëjnë me dije se nga hetimet paraprake, grupi hetimor dyshon se autorët janë vrasës me pagesë, në moshë të re, që kanë ardhur nga Mali i Zi.

Po ashtu mësohet se dhe automjeti me targa kroate i viktimave ka hyrë pak kohë më parë nga Mali i Zi, teksa kohët e fundit ishte parë shpesh duke lëvizur në zonën e Unazës në afërsi të Dobraçit.

Burime bëjnë me dije se edhe para atentatit të së mërkurës, automjeti me viktimat ka hyrë nga pika kufitare e Hanit të Hotit dhe nuk përjashtohet mundësia që autorët apo porositësit të jenë njoftuar nga dikush nga dogana.

Hetuesit kanë sekuestruar më shumë se 35 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Makina e djegur e autorëve, deri tani nuk ka prodhuar asnjë të dhënë për grupin hetimor, pasi numri i shasisë është dëmtuar nga zjarri, po ashtu edhe targat, megjithatë janë dërguar për ekspertim me shpresën se mund të zbulohen.

Hetuesit janë përqëndruar te kamerat e sigurisë, por po haset vështirësi. Kjo për shkak se në zona të caktuara nuk ka kamera, e ndërsa aty ku ka nuk janë të pajisura me servera për ruajtje pamjesh. Disa prej tyre janë të koduara dhe janë marrë për t’u ekspertuar në laborator.

Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 4 persona. Më konkretisht në automjetin tip “Range Rover” kanë qenë dy persona në rolin e vrasësve dhe një tjetër në rolin e shoferit.

Më pas dyshohet se ka qenë dhe një person i katërt, i cili i ka larguar nga vendi i ngjarjes, pasi dogjën makinën tek zona e ish-repartit ushtarak në fshatin Golem të njësisë Rrethina.

Burime bëjnë me dije se autorët i kanë dalë paralel makinës ku po udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati, duke i qëlluar me breshëri kallashnikovi për rreth 150 metra.

Dyshohet se e gjithë kjo skenë e krimit nga momenti i parë kur autorët kanë nisur të qëllojnë drejt shënjestrave deri te plumbat e fundit ka zgjatur për rreth 70 sekonda.

Mësohet se dy personat që kanë qenë në rolin e qitësit kanë qenë të maskuar.Pas breshërisë së plumbave, mjeti ku udhëtonin viktimat ka përplasur motorin ku ndodheshin çifti i bashkëshortëve, Flutura Basha, e cila vdiq në vendngjarje, dhe Bashkim Basha, që ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Kujtojmë se Hamza Lici vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa Arlind Bushati pas disa orësh në spital.

Ndërkohë, në makinën e viktimave, uniformat blu kanë gjetur tre pistoleta, si dhe një gëzhojë. Dyshohet se ka patur një kundërpërgjigje, duke qëlluar vetëm një herë nga ana e Arlind Bushatit.

Mbrëmjen e djeshme u shoqërun në komisariat për t’u marrë në pyetje rreth 10 persona, mes të cilëve dhe Safet Bajri, një ndër krerët e grupit kriminal Bajri, të cilët kanë përplasje me fisin Lici duke shkaktuar dhjetra viktima në vitet e fundit në Shkodër.(Ora news)

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related