Ekspertiza për vajzën e përdhunuar në Vlorë është kryer 5 ditë pas ngjarjes, që sipas familjarëve të saj por edhe mjekëve ka qenë shumë e vonuar. E motra e të resë, në një lidhje telefonike me emisionin Opinion tha se 26-vjeçares i është bërë ekspertiza 5 ditë pasi dyshohet se ka ndodhur përdhunimi, ndërkohë që përgjigja zyrtare nuk ka dalë ende dhe pse kanë kaluar pothuajse 10 ditë nga ngjarja.
Pjesë nga biseda në studio:
Motra e 26 vjeçares: Nuk ka dalë akoma akt ekspertiza mjeko-ligjore dhe ne nuk kemi marrë një përgjigjie për këtë gjë.
Merin Maçi: Për marrjen e aktit të ekspertimit mjeko-ligjor për të tilla raste bëhet kërkesë nga ana e strukturave të cilat merren me hetimin dhe nga informacionet që unë kam, kërkesa është bërë që me datë 21, por vendimi për marrjen e këtij akt ekspertimi ka vonuar disa ditë. Kjo mbetet një enigmë e madhe e cila i është bashkuar këtij hetimi nga ana e grupit hetimor për të parë se çfarë ka shkuar keq në marrjen e një akti ekspertimi.
Motra e 26-vjeçares: Pse nuk u bë ekspertizë që atë natë, apo një ditë më pas, por u bë në krye të 5 ditëve?! Që nuk mund të dalë asgjë, duhet të ishte bërë që në moment.
Fevziu: Pas 5 ditësh?
Merin Maçi: Pas 5 ditësh, me datë 25 (Tetor).
Iris Luarasi: Kjo është skandaloze.
Merin Maçi: Dy të arrestuarit kanë dalë për masë ndërkohë s’ishte bërë akoma akt ekspertiza.
Vonesën që mund të sjellë një rezultat joreal të ekspertizës e konfimoi për emisionin dhe eksperti mjeko -ligjor Sabri Hoxha, i cili tha se ekspertiza në këto raste mund të bëhet brenda 48 orëve. Sipas tij, 5 ditë “janë pak vonë”.
“Sabri Hoxha, ekspert mjeko-ligjor deklaron nuk e njoh çështjen dhe nuk mund të flas për rastin konkrete, por në parim këto çështje kanë përparësi. Ekspertiza mund të bëhet brenda 48 orësh. Në gjykimin tim, 5 ditë janë pak vonë”, ishte reagimi i ekspertit për gazetarin Blendi Fevziu.
Vajza aktualisht ndodhet në Tiranë, dhe sipas familjarëve është duke iu ofruar ndihmë psikologjike nga disa shoqata për mbrojtjen e grave nga rastet e dhunës dhe abuzimeve./Zëri.ai