Armando Broja luajti nga minuta e parë në ndeshjen mes Evertonit dhe Chelsea, por nuk arriti dot që të linte gjurmë në humbje 2-0. Sulmuesi shqiptar nuk e goditi dot kurrë portën dhe ishte shumë larg performancave të arta në kohën para dëmtimit.
Sigurisht që për të kaluar këtë fazë Broja kërkon kohë, megjithatë Chelsea nuk e ka këtë luks për shkakun e rezultateve të dobëta. Trajneri Pochetino e ka shprehur hapur pas përfundimit të takimit pakënaqësinë e tij: “Nëse nuk shënohet dot gol edhe pas një ndeshje të tillë, atëherë do të kërkojmë për sulmues në merkaton e janarit. Ne luajtëm më mirë se Evertoni, por nuk arritëm të shënonim”.
Këto janë fjalë alarmi që vijnë kryesisht për Brojën, jo vetëm për faktin se ishte 66 minuta në fushën e blertë, por edhe për shkakun se Jackson dhe Nkuku, dy sulmuesit e tjerë kanë pasur fare pak kohë te londinezët, duke u marrë vetëm në merkaton e verës. Nkuku është duke kaluar një dëmtim serioz dhe për këtë arsye, marrja e një sulmuesi të katërt do të hapte derën e largimit të Brojës, në rastin më të mirë, në formën e huazimit. /Sport Ekspres/