VIDEO/ U kthye në bish që i iku 4 stjuardëve kur Shqipëria shënoi, babai i Pajazitit: U ndieva njësoj si në ditën kur më lindi djali

Date:

- Advertisement -

ëse Shqipëria A dhe U-21 janë duke mbajtur vendet e para në renditjet e tyre, padyshim që merita i takon trajnerëve Silvinjo dhe Alban Bushi, pa harruar edhe punën fantastike të skautëve të FSHF. Por merita më e madhe është padyshim e baballarëve të këtyre djemve. Nuk janë lojtarët e dalë nga disa biznesmenë që djemtë i dërguan në futboll. Jo, është historia e Myrto Uzuni, është historia e Ylber Ramadanit që babai i tij nuk donte ta dërgonte në futboll pasi e kishte krahë pune për të shitur shalqinjtë, është historia e shumë vuajtje të shqiptarëve, mes të cilave edhe e Adrion Pajazitit. Është histori e babait të Adrionit, Nehatit, që në moshën 16-vjeçare shkoi në emigrim në Gjermani, për të jetuar pa asnjë të afërm dhe për të filluar punë që të mbante veten. Nuk mundi kurrë që të kishte një fëmijëri, Nehati “lindi burrë”.

VIDEO kur futet ne fushe

Sa i përket Adrionit, talenti i Shqipërisë U-21 është padyshim ylli më i madh i Shpresave. Ai arriti të shënonte golin e 3, të përmbysjes, në atë fitore 3-2 ndaj Rumanisë. Mjekët e kishin këshilluar Bushin që ky futbollist mund të luajë vetëm 60 minuta në Shqipëri-Rumani pasi ishte i dëmtuar, por Adrioni e nisi nga minuta e parë dhe shënoi në fund të takimit. Jo më kot Alban Bushi e ka komentuar si Armando Brojën apo Demollarin e ri.

Ndërkohë Sport Ekspres ju ka bërë të ditur prej kohësh se ky lojtar ka potencial të jashtëzakonshëm dhe do të jetë e ardhmja e Shqipërisë. Ajo që bëri përshtypje në golin e 3 të Shqipërisë U-21, në përmbysjen e çmendur kundër rumunëve, ishte padyshim festa e babait të Adrionit, Nehat Pajaziti. Ai u lëshua si një bishë nga stoli ku po qëndronte dhe hyri në fushë për të puthur këmbët e Pajazitit, ato këmbë që i dhanë tre pikët dhe vendin e parë Shqipërisë. 4-5 stjuardë po bënin gjithçka mundin që Nehati të ndalej, duke mos e njohur atë, por siç thotë edhe vetë babai i tij në “Sport Ekspres”, askush nuk mund ta ndalte në atë moment.

Ishe protagonist në atë fitore të Shqipërisë, në golin e Adrionit. Kur pe topin në rrjetë, cila ishte gjëja e parë që të shkoi ndërmend?

Nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë se çfarë përjetova në atë moment. 10 minuta para se të mbyllej ndeshja, vetëm shtrëngohesha aty në stol dhe i lutesha Zotit: “Të shënoj një gol Adrioni”. Goli i dytë i Rumanisë erdhi për shkakun e Adrionit, e humbi një top në mesfushë dhe ata shkuan në kundërsulm për të shënuar golin e dytë. Unë e kam ndjekur Adrionin në shumë ndeshje, por emocione si ajo mbrëmje që po humbnim 0-2 ndaj Rumanisë dhe e përmbysëm në 3-2, nuk kisha përjetuar. Plus që Adrioni ka qenë i dëmtuar, ndeshjen e parë e humbi dhe vetë Alban Bushi tha se doktorët e kishin paralajmëruar se Adrioni mund të luante vetëm 60 minuta. Ai e nisi nga fillimi, këmbënguli, i tha edhe Bushit që të rrinte deri në fund pasi donte që ajo ndeshje të fitohej nga ne. Kjo më emocionoi, e rrezikoi veten aq shumë dhe Zoti e ruajti, nuk u lëndua dhe shënoi në fund.

Si përfundove aty në fushë?

Jo, jo, sinqerisht edhe kur e mendoj tani, nga atje lart ku isha ulur dhe deri në fushë, më është dukur sikur me një hap i kam kapërcyer të gjitha ato shkallët për të hyrë në fushë. Aq shumë afër më është dukur.

A i the stjuardëve se ishe babai i Adrion Pajazitit në atë moment apo vetëm tentoje që të shkoje për ta takuar, pa thënë asnjë fjalë më shumë?

Kur erdhën stjuardët që po më tërhiqnin, i thashë: “Ju lutem, vetëm më lini që të shkoj dhe ta përqafoj. Jam babai i Adrionit”. Nuk më lejuan në fillim, por edhe një pjesëtar i FSHF që u tha se jam babai i Adrionit. Më pas nuk mbaj mend gjë sesi u ika nga duart dhe shkova te Adrioni për të përqafuar.

I ke puthur edhe këmbët në atë moment.

E gjithë ideja ishte ajo. Këmbën e djathtë e ka pasur të lënduar dhe më atë këmbë shënoi gol dhe me atë këmbë morëm tre pikë që na nxorën në vend të parë.

Në atë moment dukej sikur të dha Zoti forcë se ishin 4-5 stjuardë dhe nuk mund të mbanin dot…

Është shumë e vërtet. Ia thashë stjuardëve: “Nuk ka njeri që më nxjerr mua nga këtu tani, ju lutem, vetëm sa ta përqafoj”. E kam marrë rrugën nga Mitrovica për në Elbasan, isha aty një orë para se të nisej ndeshja.

E ke pasur një moment të dytë kaq shumë emocionues, që të ka nxjerrë nga vetja po ashtu si në atë mbrëmje në Elbasan?

Ne kemi vuajtur shumë, unë për vete datëlindjen e 16 e festova në kurbet. Jemi rritur me këtë flamur, kemi qenë gjithë jetën me këtë flamur, kemi vuajtur bashkë me të. Sa për pyetjen, ditën kur ka lindur Adrioni dhe atë natë kur shënoi me Shqipërinë, kam pasur aq shumë emocione në jetën time. Kam pasur nipin dhe vëllain aty dhe më thanë: “Nuk e dimë se çfarë bëre, vetëm kur të pamë që hyre aty në fushë”.

Si ka qenë histori jote, pak më parë më tregove që ke shkuar që në moshën 16-vjeçare në kurbet…

Kam lindur afër Vushtrisë, kam ikur në Gjermani në fillim si gjithë të tjerët, kur u mbyllën shkollat dhe na nxorën prindërit nga puna. Ika në Gjermani kur isha vetëm 16-vjeç. Kam qenë me nusen e dajës dhe fëmijët e saj. Më pas kur shkuam në Gjermani, ata vazhduan rrugën e tyre dhe unë rrugën time. Kam ndenjur 4 vite e gjysmë në Gjermani dhe më pas ika në Angli, diku në 97.

Pra ti jetoje vetëm që 16-vjeç, në Gjermani?

Kur vajtëm në Gjermani, qëndrova një muaj e gjysmë me nusen e dajës dhe pastaj u largova. Prindërit e mi qëndruan në Kosovë. Kisha afër zonës ku qëndroja edhe vëllain tim, megjithatë ishim diku 60 kilometra larg njëri-tjetrit. Unë isha në një nga ato shtëpitë që atëherë rrinin 14-15 shqiptarë, 3-4 veta brenda një dhome.

Pra ishin shqiptarë të tjerë, por të panjohur për ty?

Po, të panjohur për mua, por ishin shqiptarë. Fillova të punoja që në atë moshë, si gjithë të tjerët, në punë të zezë sigurisht pasi isha nënmoshë.

Pastaj kalove në Angli?

Po, ishte 97, në Kosovë dihej sesi ishte situata nga lufta, në Gjermani donin të më kthenin dhe e vetmja rrugë ishte Anglia. Në Angli ishte më e vështirë akoma. Nëse dikush do të më tregonte në Gjermani sesi do të ishte Anglia para se unë të shkoja, nuk do ta kisha marrë kurrë atë rrugë. Shkova në një qytet shumë të madh, ku nuk dija as gjuhë dhe nuk kisha as të afërm, nuk kisha njeri të gjallë aty. 10 ditëshi i parë ka qenë shumë shumë i vështirë. Deshti Zoti që kam takuar disa shqiptarë aty që më ndihmuan dhe pas 5 javësh fillova punën e parë aty, duke larë makinat.

Kalojmë pak te koha kur lindi Adrioni. Ishte fiksimi jot që djali të bëhej futbollist apo pe dashurinë e tij për futbollin, që në moshë të vogël?

Zgjidheni vetë nëse doni ta besoni apo jo, por kur lindi Adrioni, në javët e para fillonte t’i lëvizte këmbëve sikur do t’i jepte biçikletës. Shikoja ndeshje futbolli dhe Adrioni nuk më ndahej për asnjë moment, kishte qef edhe kur i blija top. Kur ishte 4 vjec fillova pak ushtrime me të nëpër park dhe më pas zgjodhi që t’i bashkohej këtij sporti.

Çfarë do të thotë flamuri shqiptar për ty dhe Adrionin?

Ne më këtë flamur jemi rritur, kemi gëzuar, kemi vuajtur dhe kur të vdes dua që të mbështjellin me këtë flamur dhe më pas të prihem i qetë. Adrioni e flet dhe shkruan gjuhën shqipe më mirë se unë, edhe vajza ime. I merrja librat e gjuhës shqipe dhe ia mësoja gjuhën që ta dinte sa më mirë. Edhe Adrioni e do shumë Shqipërinë.

Alban Bushi e ka vlerësuar në shumë raste Adrionin, të jep ndopak ndjenjë krenarie?

Kur më tha Albani në fillim për djalin, i thashë: “Nëse seriozisht mendon se do të jetë pjesë e rëndësishme e Shqipërisë, më ke nga mbrapa. Nëse e do sa për numër, më mirë të jemi secili në rrugën e tij”. I kam dëgjuar vlerësimet e këtij trajneri, ruaj shumë respekt për të. Është një profesor, një njeri që e njeh shumë mirë futbollin. Unë uroj që të ketë një shëndet të plot dhe dua ta falënderoj për gjithçka ka bërë për Adrionin deri tani. Kam edhe një këshillë, drejtuesit e FSHF dhe të FFK duhet të vazhdojnë që të punojnë dhe t’i japin shansin talenteve të rinj, pasi sinqerisht, këtu ka aq shumë talente shqiptarë sa mjafton t’u jepet shansi dhe do të shpalosin të gjithë potencialin e tyre. /Sport Ekspres/

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

“Nuk duam hakmarrje”, flasin mes lotësh prindërit e Martinit

Vrasja tragjike e Martinit 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar ka...

Bie nga kati i 10-të dhe humb jetën Klajdi Mancaku, miku i ngushtë i Cllevio Serbianos

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Spanjë, ku...