Gjergji Mullalli, 55-vjeçari që vrau të shtunën gruan dhe e hodhi në gropën septike ka vrarë veten.
Siç ka mësuar gazetarja Daniela Zisi, Mullalli është gjetur i vdekur nga autoritetet e policisë pranë fshatit Zëmblak të Maliqit.
Ai e ka kryer vetëvrasjen në shtëpinë e kushëririt të tij. Pranë vetes, siç duket edhe nga këto pamje të siguruara nga Klan News, Mullalli kishte edhe armën e krimit, një kallashnikov.
Mullalli dyshohet se e vrau bashkëshorten Luiza Mullalli, 46 vjeçe për motive xhelozie. Ata ishin në proces divorci. 55-vjeçari e ka qëlluar gruan me armën zjarri automatik disa herë në pjesën e gjoksit. Kjo ka qenë fatale për Luizën, e cila ka humbur jetën për shkak të gjakderdhjes.
Pasi kreu krimin, Mullalli e hodhi bashkëshorten e ndjerë në një gropë septike pranë shtëpisë së saj dhe u arratis. Policia e kërkoi gjatë gjithë natës, por nuk mundi ta gjente.