Për të parë fytyrën e disa personave, atëherë ji i suksesshëm dhe do t’i kuptosh në të vërtetë ata. Këtë bëri Shqipëria dhe pa Statovcin sesi shprehej se droni në Beograd nuk u ngrit nga shqiptarët e Shqipërisë pasi nuk kanë aq inteligjencë, pa sesi këngëtari Blero pasi fitoi pafundësisht para nga Tirana tani filozofonte kundër Shqipërisë, pa sesi Andin Lokaj, komentatori i njohur, teksa në studio thuhej se Shqipëria është vendi i parë i grupit, Lokaj e pa shumë të arsyeshmë për ta theksuar: “Sepse ka një ndeshje më shumë se Çekia”.
Janë parë kaq shumë komente të këtij tipi të cilat janë të frikshme, për vetë faktin pasi po i jepet zë disa personave që jo vetëm flasin në këtë mënyrë kundër Shqipërisë, por edukojnë një brez të ri me frymën e gabuar. Dhe gjithçka nisi me…Ilir Dajën! Në fakt, ka nisur shumë më herët me trajnerët që vinin nga Shqipëria, që shpesh përballeshin me një ambient mbytës.
Por me Ilir Dajën problemi ishte i madh pasi kishte…kulturën e suksesit! Në Kosovë janë jo pak njerëz që nuk e durojnë dot një gjë të tillë, ata mendojnë se suksesin e arrijnë vetëm ata sepse janë një “Brazil i vogël”, siç e shprehu edhe “filozofi i kohës moderne”, Blero. “Meqë nëna duhet pa kushte, po dashuria e nënës për fëmijtë, përse është me kushte?”, ishte një prej pyetjeve epike të Bleros që thuhet se është ende nën studim, pasi kaloi përtej çdo niveli inteligjence të zakonshme.
Kështu, Ilir Daja “i çmendi” shumë njerëz në Kosovë. Ata mund të preferonin çdo lloj trajneri tjetër që të bënte sukses në Kosovë, por jo një të ardhur nga Shqipëria zyrtare. E kjo jo për shkak se nuk e duan Shqipërinë edhe këta pak njerëz, që për fatin e mirë janë ende pakicë, por për shkak se në mendjen e tyre shqiptarët e Shqipërisë zyrtare nuk kanë asnjë lloj aftësie dhe vetë dallojnë mbi ta.
Dy vite rresht kampion, dy vite rresht në grupet e Conference League! E meqë presidenti i FFK, Ademi, i tha Shqipërisë që të mos i prekte më lojtarët e Kosovës, nga krahu tjetër duhet ta kuptojë se nëse po krenohet me një arritje në gjithë kohën që ka drejtuar Federatën e Futbollit të Kosovës, është për shkak të një trajneri që është marrë po nga Shqipëria.
Kosovës i duhen më shumë zëra si Bylbyl Sokoli, të cilët ende flasin për bashkim kombëtar dhe nuk bëjnë dallim krahine. Por në një kohë që Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri konsiderohen si ambasadora dhe Arbnor Muja me Mirlin Dakun konsiderohen tradhtarë, kjo tregon qartë se cili është problemi i madh i disa njërëzve në Kosovë. Ju përshëndet Ilir Daja, edhe Shqipëria nga kreu i grupit… /Sport Ekspres