Policia në qytetin Bristol në jug-lindje të Anglisë, së bashku me disa oficerë të NCA, trokitën në derën e Steven Hunt mëngjesin e së shtunës.
Ora shënonte 02:30 momenti kur e prangosën bazuar në Kartelën e Kuqe të Interpolit.
Steven Hunt 49 vjeç kërkohet të ekstradohet në Shqipëri si pjesë e skuadrës vëzhguese në vrasjen në bashkëpunim, të 19 prillit në Shëngjin të Ardian Nikulajt.
Tch sjell të shkuarën kriminale të Steven Hunt. Steven Hunt banues në Bristol, nuk ishte një emër i panjohur për policinë lokale të e Avon dhe Somerset.
Historia e tij me krime të një rrezikshmërie jo të lartë, nis në vitin 1999 kur gjykata Bristol Magistrates Court e dënoi atë me 18 muaj burg, kthyer në shërbim prove për dëmtime kriminale dhe sjellje abuzive.
E njëjta gjykatë në vitin 2005 i dha një dënim përmes këshillimit për “kundërshti dhe rezistencë” ndaj arrestimit të policisë.
Po ashtu skeda e tij penale tregon se në tetor të vitit 2014 është gjobitur nga gjykata për kundërshtim me forcë të arrestimit pasi ishte në gjendje të dehur.
Mësohet se Steven Hunt është baba i dy fëmijëve 18 dhe 15 vjeç. Në të shkuarën ka punuar si shofer kamioni dhe momentin e arrestimit rezultonte si i papunë.
Kur u paraqit në gjykatën e ekstradimeve në Londër Steven Hunt përmes avokatit ofroi një garanci financiare prej 1000 stërlina për t’u liruar me kusht. Gjykatësja Neeta Minhas e refuzojë aplikimin për lirim me kusht.
Steven Hunt, Edmond Haxhia dhe Thomas Mithan do të paraqiten përsëri përpara gjykatës së ekstradimeve të premten e 5 majit.