Gjykata e Korçës, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin Denis Meçe, i cili vrau Egli Progën në Pogradec, pasditen e 11 gushtit.
Ndërkohë miqtë e Denisit, shtetasit Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guce, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi, u lanë të lirë me masën “detyrim paraqitje”.
Por ajo që bie në sy është ndryshimi i akuzës për 29-vjeçarin Meçe, një i ri problematik, i pushtetshëm dhe me para në Pogradec.
Kur u arrestua, Denis Meçe u akuzua
për veprën penale “Vrasja me dashje” që dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Por ditën e sotme, Gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Denisin duke e akuzuar për ‘Vrasje nga Pakujdesia’ që dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Duke ditur pushtetin që Denis Meçe dhe familjarët e tij, daja Valter Gora, ish-drejtor i Postës Shqiptare, kanë në qytetin e Pogradecit, nuk është aspak e vështirë të mendohet se sa muaj burg mund të bëjë vrasësi i një babai dhe njeriu të ndershëm.
Ndërkohë që edhe pagimi i gjobës pa bërë asnjë ditë burg vlen si opsion me akuzën që rëndon ndaj Denis Meçes.