Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bajram Shala ka akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit se ka punuar pas shpine kundër tyre. Afrimi i Arbnor Mujës dhe Mirlind Dakun te Shqipëria ka nxitur një sërë deklaratash mes drejtuesve shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë.
Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bajram Shala ka akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit se ka punuar pas shpine kundër tyre. Afrimi i Arbnor Mujës dhe Mirlind Dakun te Shqipëria ka nxitur një sërë deklaratash mes drejtuesve shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë. Për “Top News” Shala tha se lojtarë nga Shqipëria janë vetëofruar për Kosovën, ndërsa ata nuk kanë pranuar për çështje respekti.
“Kemi pakënaqësi të brendshme dhe duhet të kemi, sepse është stërtepruar. Ne i kemi kuptuar kur FSHF-ja i është ofruar lojtarëve me prejardhje nga Kosova dhe iu ka ofruar shansin të luajnë për Shqipërinë, por të merren futbollistë që kanë luajtur për Kosovën në miqësore, kjo është përtej reprocitetit dhe bashkëpunimit të dy federatave. Kjo është përtej frymës sportive. Dy futbollistët e fundit (Mirlind Daku dhe Arbnor Muja) ishin pjesë të ekipit tonë kombëtarë edhe në grupmosha, ndërsa Shqipëria i afroi duke punuar prapa shpinës sonë dhe joshur ata”, tha Shala.
Shala gjithashtu nënvizoi se Kosova ka refuzuar disa lojtarë të Shqipërisë që i ishin vetëofruar, si shkak i respektit për FSHF-në.
“Kemi pasur disa raste kur futbollistë nga Shqipëria kanë shprehur dëshirë për të qenë pjesë e Kosovës në momente të ndryshme të karrierës së tyre, por për shkak respekti ose të themi fair-play me Federatën Shqiptare ne nuk i kemi afruar ata futbollistë. Ata na janë vetëofruar por s’dua t’ua përmend emrat që t’i vendos në ndonjë pozitë të palakmueshme dhe të gjykohen në Shqipëri. Kemi pritur një trajtim të njëjtë, por nuk ka ndodhur”, tha Shala mes të tjerash.