Manaj vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes pas sezonit fantastik që kaloi te Sivaspor. Nga raportimet e fundit bëhet me dije se sulmuesi shqiptar, i cili është edhe në radarin e gjigantëve të Turqisë, po përgatitet të vazhdojë karrierën në Itali.
Lacio, një nga skuadrat e Serie A, që ka shfaqur interes të transferojë në skuadër Rei Manajn. Në raportimet e shtypit italian, thuhet se kryeqytetasit, që sezonin e ardhshëm do të garojnë në Ligën e Europës, kanë identifikuar sulmuesin shqiptar si objektiv të transferimit, raporton media turke, Aksam.
Bëhet me dije se Lacio është i gatshëm të paguajë 15 milionë euro për kartonin e Manajt. Qendërsulmuesi 27-vjeçar do të bëhet lojtari që ka mbushur më së shumti arkat e Sivasporit në histori nëse ky transferim realizohet.
Futbollisti i Kombëtares shqiptare u aktivizua për 2612 minuta në 36 ndeshje me Sivaspor në sezonin 2023/24. Sulmuesi ka kontribuar me 22 gola dhe tri asistime për ekipin e tij gjatë kësaj periudhe.