Florjan Gjergji i cili jeton në Gjermani drejton grupe të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin u vendosin gjoba biznesmenëve në emër të zyrtarëve të lartë.
Në shumicën e rasteve ka përdorur emrin e Erion Veliajt, Taulant Ballës, Artan Lames, Vilma Nushit dhe së fundmi të Pjerin Ndreut për të zhvatur para, ku shuma më e vogël e përfituar niste nga 50 mijë euro.
Gjergji së bashku me anëtarët e tij të grupit komunikonin me “viktimat” me anë të aplikacioneve “Signal” dhe “Telegram”, pasi këto dy aplikacione lejojnë përdoruesin të ketë emër fals dhe nuk shfaqet numri i celularit.
Prej vitesh, Florjan Gjergji është kthyer në makthin e biznesmenëve. Policia e Shtetit përballet thuajse çdo muaj me të paktën një “pre” te skemës së tij, por lokalizimin dhe arrestimin e ka të pamundur.
Shumë prej bashkëpunëtorëve të tij kanë përfunduar në pranga, ndërsa shkodrani mashtrues, Florjan Gjergji, nuk dihet edhe sa do të qëndrojë në arrati, por duket se nuk do të heqë dorë nga “profesioni” si shantazhues dhe gjobvënës.