Bujën më të madhe e ka përvetësuar në poezi, por një ndër fitoret më domethënëse në karrierën e saj të re, ajo po e gëzon me një roman, të titulluar “Duhet të jetë dashuria”.
Nurie Emrullai është shpallur fituese e çmimit letrar Kadare për vitin 2023, mes 27 autorësh në tërësi, të cilët dorëzuan punimet e tyre në kandidaturë.
Poetja dhe shkrimtarja e talentuar nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, ishte në listën përfundimtare të pesë finalistëve për çmimin Kadare, ku në fund arriti të lëvrojë fitoren, përballë emrave si Grigor Banushi, Leonard Veizi, Suad Arilla, apo Klidi Apostoli.
“Është një emër surprizë, por plotësisht i merituar për këtë zonjë nga bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, edhe për të provuar se letërsia e mirë shqipe shkruhet kudo dhe jo vetëm në Tiranë”.
Kështu e ka përfolur triumfin e Emrullait kryetarja e jurisë për dhënien e çmimit, Natasha Lako.
Ndërsa, motivacioni i dhënies së çmimit, sipas vendimit unanim të jurisë, është dallimi i gjetjeve stilistikore dhe talentit, për t’i dhënë mikrokozmosit të saj, një frymë letërsie universale.
Doktoranten për letërsi në Universitetin e Shkupit, e dallon qartazi nga të tjerët përdorimi i dialektikës gegë në recitimin e saj mes vargjesh, mbi të gjitha në poemat e shkruara, për t’i dhënë edhe autenticitetin për të cilin u vlerësua nga juria me çmimin Kadare.
Një “metamorfozë” e tillë nga vargjet në paragrafë, nuk dihet nëse do të jetë zhvillimi etapor i radhës për shkrimtaren e re.
Por, e sigurt, është se rrugëtimi i saj sapo ka filluar dhe me fitoren e korrur, i bashkohet autorëve të tjerë të njohur, të cilët e kanë marrë vlerësimin më parë, si Rudolf Marku, Gani Mehmetaj, apo vera Bekteshi.
Çmimi Kadare është themeluar në vitin 2014 me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës dhe ka si mision ‘inkurajimin e të shkruarit të letërsisë shqipe, përmes botimit dhe promovimit të veprës fituese si dhe nxitjen e debatit për letërsinë shqipe.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com