Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa, është shprehur se familjarët apo të afërmit mund ta kenë fshehur 23-vjeçarin Azgan Mërnica në ndonjë banesë për 48 orët që ai po kërkohej nga Policia.
Komentet Softa i bëri në një emision, ku tha se nga pamjet në momentin e vetëdorëzimit, 23-vjeçari nuk dukej sikur kishte qenë në arrati, pasi ishte i qeshur, i veshur e trajtuar mirë.
Ai tha gjithashtu se duhet që të hetohet më tej nëse vrasja e efektivit të “Shqiponjave”, 28-vjeçarit Novruz Cenaliaj, ishte për shkak të një konflikti të momentit, apo e porositur apo menduar më parë.
“Një person i cili ka një situatë tepër të rënduar kriminale vetë dhe brenda familjarëve të tij. Babai i dënuar, vëllezërit të arrestuar. Në një moshë të re dhe bashkë me nënën e tij vret një punonjës policie. Hetimi mund të sjellë një situatë tjetër që mund ta rëndojë situatën e tij.
Fakti që në momentin e vetëdorëzimit, pamjet e dhëna nga mediat tregonin një person që nuk të jepte përshtypjen që në 48 orë që ne thonim që ishte në arrati, pamjet fizike nuk të jepnin përshtypjen se ishte në arrati. Ka qenë i sistemuar në një banesë në kushte komode. Sepse ai ishte i qeshur, i veshur mirë, i trajtuar mirë.
Nuk ndihej arratisja e një personi që ka kaluar dy netë në arrati apo e një personi nën presion policor. Mendoj se familjarët apo të afërmit mund ta kenë mbajtur 23-vjeçarin për 48 orë. Ai ishte i qeshur, sikur po hipte në taksi”, tha Softa.
Si u dorëzua Azgan Mernica:
Pas orësh negociatash vrasësi i efektivit të “Shqiponjave” Azgan Mernica ka pranuar të vetëdorëzohet në Policinë e Fierit. Ashtu si dhe raportuam më herët ai ishte fshehur në fshatin Dërmenas.
Kanë qenë familjarët ata që e kanë bindur Mërnicën që të vetëdorëzohej në polici, pasi e dinin se policia ishte në gjurmët e tij dhe nuk do mund t’i shpëtonte prangave.
Ajo që ka shkaktuar zemërim dhe inat më shumë tek qytetarët është një video që po qarkullon, nga momenti i vetëdorëzimit të autorit në “duart” e policisë, i cili shfaqet i buzëqeshur duke treguar kështu se nuk është penduar për vrasjen e efektivit.
Po ashtu kanë habitur edhe familjarët të cilët kanë për të filmuar momentin, por disa dëgjohen duke i uruar rrugë të mbarë, e një tjetër dëgjohet t’i thotë: “vdeksha unë…”, ndërkohë që ditën e djeshme familjarët kanë përcjellë për në banesën e fundit djalin e tyre, efektivin Novruz Cenalia, i cili u vra nga 23-vjeçari me plumb në kokë, pas një debati në rrugë.
“Azgan vdeksha unë.. Hajt rrugë e mbarë! Zoti para”, dëgjohet duke thënë një nga familjarit e vrasësit të efektivit.
Ndërsa një tjetër dëgjohet duke thënë: “hip e ti në makinë të lutem”.