Videoja e publikuar nga gazetari i njohur Blendi Fevziu në Instagram për Parashqevi Simakun ka bërë bujë të madhe. Historia prekëse e këngëtares së njohur shqiptare, e cila jeton në SHBA prej vitesh, ka prekur zemrat e shumë shqiptarëve, duke nxitur reagime dhe oferta për ndihmë.
Në emisionin Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu ndau detaje të jetës së trazuar të Parashqevi Simakut, që fillon me largimin e saj nga Shqipëria në 1991 drejt SHBA-ve, në përpjekje për të ndjekur ëndrrën e Hollivudit. Fevziu kujtoi takimin e tij të fundit me të në vitin 1995 dhe zbuloi sfidat personale që ajo ka përjetuar pas divorcit nga bashkëshorti libanezo-amerikan.
Pas ndarjes, gjykata amerikane i dha kujdestarinë e djalit ish-bashkëshortit, çka ishte një goditje e madhe për Simakun. Ajo humbi kontaktet me familjen dhe miqtë dhe për një periudhë jetoi në qendrat e të pastrehëve, duke refuzuar ndihmën e ofruar nga të tjerët. Sipas Fevziut, Simaku shpesh përsërit fjalët e saj të dhimbshme: “Po pres të më sjellin djalin”.
Historinë prekëse e ndanë shumë shqiptarë, dhe një qytetare nga SHBA, Elvira Tata, arriti ta gjente dhe të bisedonte me Parashqevi Simakun pas publikimit të videos nga Fevziu.