Përfaqësuesja e Çekisë do të zbarkojë në vendin tonë për ndeshjen e Ligës së Kombeve, e ndërgjegjshme që çdo rezultat pozitiv në Tiranë, fitore apo barazim, do ta shtyjë drejt vendit të parë në grup dhe ngjitjes në Ligën A. Por duket se në kampin çek ka optimizëm dhe kjo shihet edhe nga deklarata e mesfushorit Pavel Shulc, i cili është kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm të ekipit të drejtuar nga Ivan Hashek.
Futbollisti ka që në shtator që nuk gjen rrugën e rrjetës, por ka premtuar se ka ruajtur një gol për ndeshjen e të shtunës. “Po paraqitem mirë. Edhe pse nuk kam shënuar po aq shumë gola dhe kam dhënë asiste, mund të them se performancat e mia kanë qenë më të mira se në vitin e kaluar kur shënova më shumë. Kisha raste së fundmi, që mund të realizoja, besoj se e kam ruajtur golin për Shqipërinë”, tha Shulc fillimisht para mediave.
“Është gjithmonë më mirë të luash kur e kemi vetë situatën në dorë, Unë besoj se mund t’ia dalim të shtunën dhe gjërat do të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë nuk jam një parashikues, ndaj nuk e di se si do të përfundojë ndeshja, Por gjëja kryesore është se e kemi situatën në dorën tonë.
Ne nuk do të duam të ndryshojmë asgjë nga ndeshja e muajit të kaluar, do t’u bëjmë presing dhe luajmë në të njëjtën mënyrë se si luajtëm këtu. Duhet të bëjmë të njëjtat paraqitje individuale që dhuruam këtu.
Kur Suçek të ruajë Asllanin në të njëjtën mënyrë se si e ruajti këtu, gjithçka do të jetë në rregull. Ai ishte nervoz deri në minutën e 50 që një njeri dy metër i gjatë po i vraponte nga pas dhe nuk e kishte topin. Duhet t’i ruajmë në mënyrë individuale”, tha Shulc, duke bërë të qartë se për Asllanin do të kishte përsëri “trajtim të veçantë”.
PANORAMASPORT.AL