Biznesmeni shqiptar Elton Ilirjani, i cili prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka realizuar një takim të veçantë me ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku. Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, ai ndau detaje të papublikuara më parë rreth këtij momenti të paharrueshëm dhe planeve për të ardhmen e këngëtares së njohur.
Një takim magjik me një divë shqiptare
“Diva jonë ishte një mrekulli, e bukur si gjithmonë,” tha Ilirjani, duke theksuar emocionet e forta që përjetoi gjatë takimit. Sipas tij, Simaku u gjet falë ndihmës së një gruaje shqiptare të quajtur Elvira. “Ishte një moment magjik. Kisha vite që e kërkoja dhe e dija gjendjen e saj. Ajo kishte nevojë për dashuri, dhe ne ia dhamë këtë dashuri,” shtoi ai.
Pas takimit, Ilirjani dhe ekipi i tij e vendosën këngëtaren në një hotel ku do të qëndrojë për tre javë. Gjatë kësaj kohe, së bashku me familjarët e saj, do të vendosin për hapat e ardhshëm.
Refuzimet e së kaluarës: A është e hapur Simaku për ndihmë?
Duke iu përgjigjur aludimeve se Simaku ka refuzuar ndihmën e komunitetit shqiptar, Ilirjani sqaroi: “Nuk është e vërtetë! Ndoshta nuk është mbështetur sa duhet. Ajo kishte fjetur jashtë një natë më parë. Ne e çuam në një hotel për ta ndihmuar, dhe jam shumë i emocionuar për këtë.”
Çfarë mendon Simaku për situatën e saj?
Sipas Ilirjanit, Parashqevi Simaku nuk është e vetëdijshme për zhurmën që ka krijuar gjendja e saj. “Nuk ka qasje në informacion. E vetmja gjë që vura re është që kishte dashuri në sytë e saj. I pëlqen moda dhe na puthi të dy, mua dhe Elvirën.”
Një rikthim i mundshëm në Shqipëri?
Diva shqiptare ka shfaqur interes për të diskutuar mbi muzikën dhe për një darkë të veçantë ku mund të flasin për projektet e saj. “Ajo vazhdon të këndojë jazz dhe është një idhull për mua,” tha Ilirjani, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi.
Ky zhvillim sjell shpresë për një rikthim të mundshëm të një prej emrave më të dashur të muzikës shqiptare, duke e vendosur Parashqevi Simakun sërish në qendër të vëmendjes së publikut.