Fitorja e Nik Gjeloshajt është pritur me festime të zellshme në Tuz të Malit të Zi. Nik Gjeloshaj u zgjodh kryetar bashkie dhe kjo ka bërë që shqiptarët e Malit të Zi të dalin të festojnë me flamuj shqiptarë, të Shqipërisë së Madhe dhe të UÇK-së.
Mirëpo kjo mesa duket nuk është pritur mirë nga malazezët, të cilët e kanë quajtur provokim, fjalë e përdorur njësoj si serbët. Sipas tyre në ditë të tilla duhen shmangur provokimet.
Megjithatë, pavarësisht fjalëve, Forumi Shqiptar ka vazhduar festën për orë të tëra dhe në çdo ambient ku ka pasur shqiptarë ka buçitur kënga shqipe.
“Faleminderit të gjithë votuesve që sot kanë dalë në mënyrë demokratike, kanë shprehur vullnetin e tyre dhe kanë treguar se malësia do bashkim, do zhvillim. Shqiptarët vazhdojnë të qeverisin. Kemi qeverisur mirë, kjo është nota më e mirë që na kanë dhënë qytetarët e malësisë, falenderojmë të gjithë ata që na kanë përkrahur, falenderojmë diasporën, falenderojmë gjithë shqiptarët kudo që janë për mbështetjen që na kanë dhënë, edhe kësaj here i kemi bashkuar shqiptarët kudo që janë. Fitorja absolute është përgjegjësi më e madhe për ne për t’u munduar edhe më shumë 4 vitet e ardhshme”, tha Nik Gjeloshaj për mediat shqiptare.