“Interi? Është një skuadër e shkëlqyer”. Kevin de Bryjne e thotë kalimthi gjatë një interviste për “Gazzetta dello Sport”, ndërsa punonjësit e Mançester Sitit e largojnë.Copy-of-Copy-of-WP-News-story-template-2023-03-20T103444.476
Por mënyra se si e thotë, me buzëqeshjen e dikujt që e pret me padurim sfidën e re, të bën të kuptosh që Stambolli është dukshëm prezent në kokën e lojtarëve të Guardiolës. Zyrtarisht, prej së pasdites së të shtunës, pas fitores kundër Mançester Junajtidit që i dorëzoi atyre Kupën FA dhe trofeun e dytë në rrugën drejt tripletës, por me shumë mundësi edhe Champions-in e parë në histori, sfida e së shtunës në Stamboll është diçka që nuk mund të humbet, për të gjithë.
FINALJA – Mançester Siti dhe De Bryjne do të nisin zyrtarisht ta përgatisin finalen ditën e sotme, kur përfundojnë edhe dy ditët e pushimit që Pep Guardiola i dha skuadrës pas triumfit në Kupën FA. Belgu mbërrin në sfidën e fundit sezonale me dy asistet që i shtruan rrugën e fitores në “Wembley”, por edhe me presionin se duhet të bëjë diferencën në një ndeshje të paparashikueshme. “Nuk jemi favoritë, sepse finalet janë gjithnjë 50 me 50 dhe gjithnjë të vështira për t’u menaxhuar. E dimë që në fushë do të ketë momente të vështira, por duhet të bëjmë punën tonë dhe fitojmë. Dhe Interi do të provojë që të bëjë të njëjtën gjë. Kanë mbërritur në finale dhe në këtë nivel të një kompeticioni si Champions-i, nuk gjen skuadra të lehta. Duhet t’i respektojmë”.
FIKSIMI – Ashtu si për të gjithë Mançester Sitin, edhe për një gjeni si Guardiola, Champions-i është një lloj fiksimi. Edhe për shkak se herën e fundit që mbërritën në finale, në vitin 2021 kundër Çelsit, nuk shkoi shumë mirë. Skuadra humbi dhe De Bryjne doli nga fusha me kockat e thyera në kuptimin e parë të fjalës.
“Nuk kam thyer kurrë diçka në jetën time, por pas asaj finaleje dola me hundën e thyer dhe një tronditje cerebrale”, kujton për pasojat e përplasjes me Antonio Rydigerin.
“Në futboll ndodh që të humbasësh dhe ne Champions-it i kemi shkuar shpesh pranë. Në atë ndeshje bëra që të mundesha, do të doja të bëja më mirë, por nuk ndodhi”.
Por në Stamboll, De Bryjne premton se do ta riprovojë: “Champions-i është diçka që nuk e kam fituar ende. Kështu që do të dëshiroja të mund ta bëja. Stërvitem në maksimum dhe shpresoj që të luaj një ndeshje të madhe dhe të ndihmoj skuadrën që të fitojë”.
TRIPLETA – Triumfi në Europë është në kokën e De Bryjnes gjëja më e rëndësishme. Tripleta do të jetë vetëm pasoja dhe jo objektivi që Siti ndjek praktikisht gjatë gjithë dinastisë së Guardiolës, siç është në fakt trofeu më prestigjioz europian.
“Duhet të shqetësohemi që të fitojmë Champions-in, jo për tjetër gjë. Sigurisht se nëse mundim Interin kemi edhe mundësinë për të fituar tripletën, por mes nesh nuk kemi folur kurrë në të vërtetë”. Dhe 31-vjeçari është gjithashtu i bindur se nuk do të jetë ndeshja me Interin ajo që do të përcaktojë pozicionin e Sitit të Guardiolës në histori.
“Kur njerëzit flasin për këtë skuadër, thonë se duhet të fitojmë me çdo kusht Champions-in. Por ne trofe të rëndësishëm kemi fituar. Kjo është gjithsesi një skuadër e pabesueshme. Triumfi në Champions natyrisht që do të na japë diçka më shumë. Por nuk janë 90 minuta ato që përkufizojnë një karrierë apo një dinasti. Unë mendoj se kam luajtur mbi 700 ndeshje deri tani dhe jam i sigurt se rrugëtimi im në futboll nuk do të përcaktohet nga 90 minutat e ardhshme, ashtu siç nuk përcaktohet nga asnjë ndeshje e vetme që kam luajtur.
Nuk ndiejmë presion ekstra. Kemi bërë një sezon të jashtëzakonshëm, pavarësisht nga rezultati në Stamboll dhe mendoj se duhet ta çmojmë. Pastaj duhet të kërkojmë që të jemi sa më gati që të jetë e mundur dhe të shkojmë atje për të luajtur një tjetër ndeshje të madhe, ashtu siç kemi bërë gjatë gjithë sezonit. Shpresojmë që të mjaftojë për të fituar”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL