Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Artemida në periferi të Athinës, ku 6 persona janë gjetur të vrarë.
Sipas mediave greke, 5 nga viktima u gjetën të vdekur brenda makinës me targa gjermane, ndërsa një i gjashtë jashtë mjetit.
Të gjithë viktimat janë qëlluar me armë zjarri. Mjeti i viktimave është me targa gjermane, ndërsa CNN-i grek raporton se të vrarët dyshohet të jenë shqiptarë.
Megjithatë, nga policia greke nuk ka ende asnjë informacion zyrtar për identitetin e viktimave.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje për larje hesapesh, teksa autorët mendohet se janë arratisur me një makinë ngjyrë të zezë.
Në skenën e krimit janë gjetur gëzhoja që i përkasin një pistolete 9 milimetërshme. Nga rindërtimi paraprak i dinamikës së krimit, dyshohet se shoferi i makinës ka tentuar të largohet, e për këtë arsye u gjet i vrarë jashtë mjetit.
Forcat e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën, për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes.