Ditën e djeshme në Larisa është bërë varrimi i 21-vjeçares shqiptare Klaudia Lata, studentes që humbi jetën në përplasjen e trenave.
E reja dhe partneri i saj kaluan fundjavën në Patra dhe të martën po ktheheshin me tren për në Selanik.
Për fat të mirë i riu ka shpëtuar pasi pak sekonda para përplasjes ka dalë nga vagoni i mensës për të gjetur ndenjëse për vete dhe të dashurën e tij në një nga vagonat e tjerë.
I riu duke folur për mediat greke ka përshkruar momentet e fundit me partneren e tij.
Ne ishim në mensë. I thashë se do të kërkoja për ndonjë vend tjetër sepse isha i mërzitur dhe i lodhur. Ajo më pa drejt në sy dhe më tha “shko tani”. U habita nga menyra e të folurit dhe pa u menduar u ngrita në këmbë. Pashë që më buzëqeshte, i buzëqesha dhe u largova. Më pas ndjeva një zhurmë dhe u rrëzova. As nuk e kuptova se çfarë kishte ndodhur, thjesht ndjeva hekurat që më binin mbi shpinë. Fatmirësisht nuk u lëndova gjëkundi. U zgjova nga tymi. Tani kam probleme me frymëmarrjen. Në një moment mbylla sytë, lotova dhe thashë se do të digjem i gjallë.
Ai vuri në dukje se në të njëjtën kohë dhe ndërsa ishte në gjendje shoku po mendonte për Klaudian.
Unë nuk e kuptoja se çfarë kishte ndodhur sepse gjithçka ishte errësirë. E vetmja dritë ishte nga zjarri. Unë isha i tronditur. Disa bërtisnin se po digjeshim.