Edhe pse mbi 52 tonë miell u bllokuan 5 ditë më parë, sot në kulmin e festave kohë kur edhe sasia e konsumit ngrihet, mielli Diamond dhe Ola vazhdon të shitet kudo nëpër Tiranë. ZËRI pa nga afër sot rrjetet kryesore të marketeve në Tiranë, ku siç mund të shihni në këto pamje, shiten kudo.
Asnjë tërheqje nga tregu të miellit nuk është bërë nga AKU, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, edhe pse vetë pranoi se sekuestroi 52 ton miell në fabrikën e Diamond në Fier.
Redaksia e ZËRI, ka tentuar të marrë një sqarim zyrtar via email dhe whatsapp me të gjitha palët. Drejtori i AKU, Edmond Rrushi nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se çfarë masash janë marrë për këtë situatë, dhe sesa nga ky miell, ka dalë në treg.
Sa nga ky miell është shitur? Këtë përgjigje nuk e kemi.
Të njëjtat pyetje, ZËRI ia drejtoi përfaqësuesve zyrtarë të DIAMOND dhe Atlas group, (distributori i miellit Ola), por edhe prej tyre nuk kemi marrë një përgjigje. Të vetmit që kanë reagim janë qytetarët që denoncojnë në rrjetet sociale, disa qendrime të të cilëve i gjeni dhe për ZËRI.
Në këtë situatë, ku të gjithë heshtin dhe bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur, kërcënimi më i madh lidhet direkt me shëndetin e qytetarëve. Të gjithë jemi tërësisht të pambrojtur dhe të pasqaruar nga asnjë autoritet për një produkt themelor i konsumuar nga e gjithë popullata.
Kush e ka fajin? Këtë presim të na kthejë përgjigje autoriteti përkatës, që mesa duket është partizan i shprehjes “çudia më e madhe, 3 ditë zgjat”./ZËRI
Burimi i lajmit: https://zeri.ai/aktualitet/murtaja-qe-po-kercenon-cdo-dite-marketet-mbushur-me-miellin-oladiamon-i185908