“Ndoshta nga jashtë nuk kuptohet”, Indrit Tuci shpjegon rëndësinë e Hysajt, Abrashit dhe Ajetit: Janë ata që e mbajnë grupin të bashkuar
Indrit Tuci, sulmuesi i Spartës së Pragës, ka komentuar me realizëm shortin e kualifikueseve të Kupës së Botës, ku Kombëtarja Shqiptare do të përballet me Anglinë dhe Serbinë. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Studio Sport” në Vizion Plus, Tuci është shprehur optimist për rrugëtimin e Shqipërisë, duke vlerësuar mundësinë për të kapur vendin e dytë në grup.
Shorti i kualifikueseve: Anglia dhe Serbia sipas pritshmërive
“Unë e prisja Anglinë dhe Serbinë. Grup i vështirë, por jo i paarritshëm vendi i dytë. Me Serbinë jemi aty-aty, 50-50. Kjo është një ndeshje më shumë emocionale sesa taktike dhe teknike. Ai që do përballojë më mirë emocionet, do të fitojë.”
Tuci ka vënë theksin te ndeshjet ndaj Andorrës dhe Letonisë, duke theksuar se fitorja aty është e padiskutueshme për të synuar vendin e dytë. “Me Serbinë shpresoj të marrim 6 pikë, por edhe 4 pikë do të ishin të kënaqshme. Ndaj Anglisë mund të synojmë një barazim. Ne kemi treguar që ndaj ekipeve të mëdha luajmë mirë.”
Presioni i ndeshjeve me Serbinë dhe pritshmëritë ndaj Anglisë
Për ndeshjen ndaj Serbisë, Tuci thekson emocionet dhe presionin që e shoqërojnë: “Në atë ndeshje nuk luan më për veten tënde. Ke një shtet të tërë që të mbështet. Është shumë emocionuese të luash kundër Serbisë. Do të zgjidhja të luaja kundër Serbisë, jo kundër Anglisë.”
Sa i përket Anglisë, Tuci nuk e përjashton një rezultat surprizë, duke nënvizuar se niveli i futbollit është afruar shumë: “Edhe ne mund të shkojmë në ‘Wembley’ dhe të marrim tre pikët. Nuk është ndonjë çudi e madhe.”
Rëndësia e liderëve në Kombëtare: Hysaj, Abrashi dhe Ajeti
I pyetur për ambientimin në Kombëtare, Indrit Tuci ka vlerësuar mbështetjen që ka marrë nga lojtarët me përvojë. “Jam ndjerë shumë mirë në Kombëtare. Nuk e prisja që do të ambientohesha aq lehtë. Çunat më pritën shumë mirë, sidomos Hysaj, Ajeti dhe Abrashi. Ndoshta nga jashtë nuk kuptohet, por janë ata që e mbajnë grupin të bashkuar dhe që qëndrojmë të gjithë bashkë.”
Indrit Tuci e sheh Kombëtaren shqiptare të aftë për të përballuar sfidat në grupin K, ndërsa thekson rëndësinë e përvojës dhe unitetit brenda ekipit për të arritur objektivat në kualifikueset e Kupës së Botës.