Një sherr i dhunshëm ka ndodhur dy ditë më parë në ambientet e një berberhaneje në Tiranë.
48-vjeçari Adritatik Roshi është dhunuar me sende të forta nga grupi ‘Koçeku’ me në krye biznesmenin Luçiano Koçeku, i njohur ndryshe si Tur Koçeku.
Ky i fundit është identifikuar si organizatori i sulmit ndaj Roshit në berberhane. Gani Koçeku, një nga të arrestuarit, dyshohet se ka bërë vëzhgimin e viktimës me një makinë ‘BMW X3’. Ledio Tusha, i cili është djali i motrës së Luçiano Koçekut, gjithashtu i arrestuar, ka qenë në mjetin e përdorur nga autorët dhe brenda makinës është gjetur me një maskë, një kapelë dhe një xhup të zi, që dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit.
Po ashtu, Gëzim Koçeku ka ndihmuar autorët e sulmit duke hapur rrugën për mjetin e tyre ‘Audi’. Ronald Koçeku, një tjetër anëtar i familjes dhe vëllai i Gani Koçekut, dyshohet se ka bërë ruajtjen e Adriatik Roshit pas sulmit dhe ka marrë një makinë me qera, ‘BMW X3’, nga Ajet Balliu për të mundësuar arratisjen e autorëve.
Pas sherrit të dhunshëm, Adriatik Roshi ka përfunduar në reanimacionin e spitalit të Traumës, ndërsa Tur Koçeku është shpallur në kërkim së bashku me Gëzim Koçeku, Ronald Koçeku, Dino (Abedin) Koçeku. Në shtëpinë e biznesmenit Tur Koçeku është gjetur një armë zjarri, pistoletë, me leje në emër të tij.
Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me një sherr të mëparshëm në Palasë, më 24 gusht të vitit 2024, ku Luçiano Koçeku u sulmua dhe plagos rëndë në një lokal nate. Rrahja e Roshit mund të jetë një hakmarrje për ngjarjen e gushtit pasi asokohet disa individë sulmuan 42-vjeçarin Koçeku për një arsye banale, që sipas policisë lidhej me një mosmarrëveshje për një shishe shampanjë.
Tur Koçeku, i cili ka jetuar kohët e fundit në Dubai, është i lidhur me disa kompani të rëndësishme në Shqipëri, përfshirë “LTD Co” dhe “KORÇA PHOTOVOLTAIC PARK”. Ai ka bashkëpunuar ngushtë me vëllezërit Shtufi, Ilir dhe Kujtim, të cilët janë të njohur për ndërtimin e kullës “Mali i Tiranës” dhe zotërojnë kompaninë “Nova Construction 2012”.
Koçeku ka zgjeruar aktivitetet e tij që nga viti 2014, kur themeloi shoqërinë “LTD Co” me ortakët Ilir Shtufi dhe Kujtim Shtufi. Më vonë, më 13 gusht 2019, u themelua “KORÇA PHOTOVOLTAIC PARK”, ku Ilir Shtufi ishte ortak i vetëm, por më 22 maj 2021, ai transferoi 40% të kuotave të kapitalit tek Koçeku.
Përveç këtyre, Koçeku zotëron edhe tre kompani të tjera në fushën e ndërtimit dhe energjisë, përfshirë “S G D Energjime”, “BALLENJA-KOMPANI” dhe “G.A.V Invest”. “BALLENJA-KOMPANI” ka marrë një koncension për ndërtimin e Hidrocentralit “Ballenjë” në Bulqizë, ndërsa “G.A.V Invest” operon në sektorin e ndërtimit.