Kombëtarja e vajzave ka mbyllur ndeshjen e parë ndaj Norvegjisë, e vlefshme për raundin e parë të playoff-it të Kampionatit Europian ‘Zvicër 2025’. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” përfundoi 0-5 në favor të vajzave norvegjeze.
Vajzat kuqezi të drejtuara nga Armir Grima ishin të pafuqishme përballë Norvegjisë, të cilat u treguan të papërmbajtshme që në pjesën e parë. Noregjezet mbyllën fraksionin e parë të sfidës në avantazh të trefishtë, pra 0-3, me golat e Leonhardsen-Maanum (9’) dhe dy rrjeta të tundura nga Bergsvand (23’ dhe 44’).
Me nisjen e pjesës së dytë Norvegjia ishte përsëri më kërkuese. Miqtë gjetën golin e katërt të kësaj sfide në minutën e 62’ me anë të Ada Hegerberg. Ndërsa i 5-ti ishte një autogol. Kristina Hoxhaj shënoi në portën e Shqipërisë në minutën e 74’, duke dërguar shifrat në 0-5.
Një humbje që dhemb për vajzat kuqezi duke pakësuar shanset e një mrekullie në ndeshjen e kthimit. Kjo e fundit do të luhet në transfertë më 29 tetor, duke nisur nga ora 19:00.