“Zbutet” policia greke, lejon gazetarët shqiptarë të kalojnë kufirin

Date:

- Advertisement -

Pas tre orësh pritjeje në pikën kufitare të Kapshticës, ekipet e gazetarëve të Tv Klan dhe A2CNN më në fund kaluan kufirin grek.

“Autoritetet greke më në fund na lejuan të kalojmë, pas një pritjeje të gjatë e të lodhshme,” deklaroi gazetarja Elja Zotka, duke theksuar se kolegët e saj, të cilët përgatitën pajisjet për transmetim live, kishin pritur që nga ora 10:30.

Bllokimi u justifikua nga pala greke për mungesën e një lejeje për xhirime dhe transmetim. Zotka raportoi se sipas autoriteteve greke ishte e nevojshme një leje speciale për të punuar në territorin e tyre, një kërkesë që ajo e cilësoi si të paprecedentë.

Gjatë kohës së pritjes, gazetarët përjetuan situata të vështira dhe pengesa nga ana e autoriteteve greke, të cilat konfiskuan pasaportat dhe kërkuan që gazetarët të ndalonin xhirimet me telefon. Sipas Zotkës, pavarësisht komunikimeve zyrtare dhe një shkrese verbale dërguar nga autoritetet shqiptare, aprovimi nga pala greke kërkoi më shumë se katër orë për t’u realizuar.

Pas kalimit të kufirit, duket se ky incident ka ndikuar edhe tek qytetarët e tjerë shqiptarë dhe grekë që po përballen me vonesa të zgjatura në kontrollet e pasaportave. Zotka raportoi gjithashtu se ka pasur gjoba dhe kontrolle intensive për automjetet me targa shqiptare në rrugën për në Selanik, ndërsa nesër në Selanik, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një takim me komunitetin shqiptar atje.

“Palës greke edhe pse është ditë pushimi iu deshën gati 4 orë sepse ne e kishim dërguar më përpara se të mbërrinim në pikën kufitare kërkesën për leje pasi u informuam nga kolegët tanë të transmetimeve direkte. Pas 4 orësh edhe pse është ditë pushimi nuk është normale që një email aprovues të kërkojë kaq shumë kohë për tu dërguar. E kuptojmë që procedurat janë të tilla nuk mund të bëhen me telefon, por ja edhe emaili nuk besoj se do donte kaq shumë kohë. Në fakt u duk si e qëllimshme dhe të gjitha gjasat të bëjnë të mendosh se ishte e qëllimshme pengesa. Më pas patëm probleme pse transmetuam përmes telefonave tanë dhe informuam audiencën e televizioneve tona Tv Klan dhe A2CNN përmes lidhjeve tona live. Na erdhën punonjësit e policisë kufitare dhe na kërkuan të mos i përdornim, të mos flisnim, të mos xhironim.

Më pas pasojat po i vuajnë tani bashkëqytetarët tanë, por edhe qytetarë grekë që kanë qenë në territorin tonë të cilëve po ju zvarritet procedura e kontrollit të pasaportave. Menjëherë pas komunikimeve tona live filloi të bëhej një ngadalësim i procesit të kontrollit dhe qytetarët filluan të ankoheshin, mendonin se ishim ne pengesa, ndërkohë që ne jemi në të gjithë të drejtën tonë, të vijmë, të kalojmë në pikën kufitare, të raportojmë për aktivitete të ndryshme. E njëjta gjë ndodh edhe me kolegët tanë. Vijnë, nuk iu kërkohet kaq shumë dokumente. Nuk kalojnë nëpër procedura të tilla që na u desh të kalonim ne sot të prisnim një aprovim të pakuptimtë”, tha Zotka.

Në përgjigje të këtij incidenti, organizatat e gazetarëve kanë dënuar veprimin e autoriteteve greke. Save Journalist Albania bëri thirrje që gazetarët të lejohen të kryejnë detyrën e tyre pa pengesa, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e cilësoi sjelljen e palës greke si të papranueshme dhe kërkoi zgjidhje të menjëhershme për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme.

“Kjo sjellje është e papranueshme nga një vend i Bashkimit Evropian, i cili vendos të bllokojë mediat nga Shqipëria, të cilat kanë për qëllim informimin dhe transparencën e një aktiviteti në Greqi”, thuhet ne reagimin e kësaj shoqate.

Reagim pati edhe nga gazetari Blendi Fevziu, i cili e quajti këtë veprim skandaloz dhe primitiv. Ai kritikoi ashpër sjelljen e një shteti si Greqia, anëtare e BE-së që pengon lirinë e medias dhe të drejtën e lëvizjes.

“Është e papranueshme, e patolerueshme, skandaloze dhe absolutisht primitive që një shtet anëtar i BE-së të bllokojë në kufi gazetarët që janë duke kryer detyrën e tyre. Është e patolerueshme që një vend i BE-së shkel të drejtën për informim, shkel të drejtën e njeriut, shkel të drejtën elementare të lëvizjes së çdo qytetari shqiptar. Ngjarje të tilla mund të kesh, vonesa në vende diktatoriale, por që një vend i BE-së t’ju kërkojë gazetarëve shkresë nga Ministria e Jashtme, apo letër shoqërimi nga Ministria e Jashtme është të shkelësh çdo parim të lirisë së medias dhe t’i kërkosh gazetarëve të vihen nën tutelën politike.

Ndaj edhe njëherë insistoj që ajo që po ndodh në kufirin grek është as më shumë e as më pak një gjest primitiv i një shteti në të cilin inati dhe mëria dominon mbi të drejtat dhe parimet europiane”, tha Fevziu.

- Advertisement -

Share post:

Më të lexuarat

Me shume
Related

Bie nga kati i 10-të dhe humb jetën Klajdi Mancaku, miku i ngushtë i Cllevio Serbianos

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Spanjë, ku...

1+1=2! Çfarë na mësoi humbja me Ukrainën?

Shqipëria humbi në shifrat 1-2 ndaj Ukrainës në ndeshjen...

Ëndërruam vendin e parë, por përfunduam në vendin e fundit! Ukraina na dërgon në ligën C

Një mbrëmje për t’u harruar në “Air Albania”. Kuqezinjtë...