Myrto Uzuni, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, ka arritur një sukses historik në futbollin spanjoll. Me 46 gola të realizuar në 103 ndeshje me fanellën e Granadës, Uzuni është shpallur golashënuesi më i mirë në historinë e klubit spanjoll. Ai theu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Youssef El Arabi, i cili kishte shënuar 44 gola në 134 ndeshje.
Ky arritje fantastike erdhi pas ndeshjes së fundit kundër Racing Santander, e vlefshme për javën e 18-të të La Liga 2, e cila u luajt sot, ku Granada triumfoi me rezultatin 3-0.
Uzuni realizoi dy gola, përkatësisht në minutën e 53-të dhe 76-të, duke i dhënë ekipit të tij një fitore të merituar. Me këto realizime, ai e çon numrin e golave të tij në këtë sezon në 11, të shënuar në vetëm 15 ndeshje.
Granada, për të nderuar këtë moment historik, i ka dedikuar një postim special sulmuesit shqiptar. Emri i Uzunit tanimë është shkruar me gërma të arta në historinë e klubit spanjoll, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme.
Sulmuesi 29-vjeçar nga Berati jo vetëm që ka vendosur një standard të ri për ekipin e tij, por për ndeshjen e dytë radhazi ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, duke dëshmuar lidershipin dhe rëndësinë e tij në skuadër.
Granada e afroi Myrto Uzunin në janar të vitit 2022 nga Ferencvaros, duke paguar 4 milionë euro për të. Sot, ky investim është shndërruar në një histori suksesi, ndërsa Uzuni vazhdon të shkëlqejë si një yll i futbollit shqiptar dhe ndërkombëtar.