Sulmi tragjik në Magdeburg, Gjermani, të premten më 20 dhjetor, tronditi vendin duke shkaktuar dy viktima dhe plagosjen e 68 personave. Autoritetet kanë arrestuar një të dyshuar, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e motivit të ngjarjes.
Reagimet pas sulmit
Reagimet për ngjarjen kanë qenë të shumta. Kancelari Olaf Scholz shkroi në platformën X:
“Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë pranë tyre dhe popullit të Magdeburgut.”
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, shprehu solidaritet dhe falënderim për forcat e shpëtimit:
“Gëzimi i festës së Krishtlindjes u ndërpre. Mendjet dhe zemrat tona janë me viktimat.”
Edhe Arabia Saudite dënoi ngjarjen dhe shprehu solidaritetin e saj me Gjermaninë.
Çfarë ndodhi?
Një makinë e marrë me qira, një BMW e zezë, u përplas mbi turmën në tregun e Krishtlindjeve, duke përshkuar një distancë prej 400 metrash. Ngjarja ndodhi pas orës 19:00, dhe tregu u mbyll menjëherë pas incidentit.
Kryeministri i landit Reiner Haseloff deklaroi se ndër 68 të plagosurit, 15 janë në gjendje të rëndë.
Kush është i dyshuari?
I dyshuari i arrestuar është një mjek 50-vjeçar, Taleb A., me origjinë nga Arabia Saudite, i cili jeton në Gjermani që nga viti 2006. Ai ka statusin e refugjatit politik prej vitit 2016 dhe njihej si figurë e spikatur në komunitetin saudit në Gjermani.
Sipas informacioneve, i dyshuari ka shfaqur publikisht kritika të forta ndaj islamit në rrjetet sociale, duke u identifikuar si një kundërshtar i hapur i islamizimit. Nuk ka të dhëna që ai të jetë njohur më parë nga autoritetet si ekstremist.