Gjithmonë kemi treguar rastet e suksesshme të shqiptarëve në fushat e ndryshme të sportit, ku ne ndiejmë krenari. Por po kaq shumë të mbush edhe kur dëgjon se në zemër të Pragës, në sheshin kryesor, dominojnë po…shqiptarët.
Pikërisht në vendin ku u organizuan të gjithë tifozët tanë që po qëndronin së bashku në transfertën e Çekisë , duke kënduar dhe kërcyer, në restorantin e quajtur “Bar Resturant Orloj”. Në katet e mësipërme ndodheshin zyrtarët e FSHF dhe presidentët e ekipeve shqiptare, ndërsa në katin e parë gumëzhinin tifozët shqiptarë.
Një restorant 5 katësh në qendër të Pragës dhe mbi të gjitha, me pronar shqiptar. “Sport Ekspres” ka zhvilluar një tjetër intervistë me pronarin e këtij restoranti, Lorenc Hysi. Këtë herë ai mbërriti në Tiranë për të parë edhe ndeshjen e kthimit kundër çekëve. Për shkak se nuk u gjet dot një përkëthyes, Lorenc Hysi ishte sot i pranishëm edhe në konferencën për shtyp të trajnerit të Çekisë për ta ndihmuar me gjuhën shqipe dhe atë çeke. Në emisionin “Koha Shtesë” të “Sport Ekspres”, Hysi ka treguar edhe për reagimet nga çekët për shkak të komunikimeve me ta. (Shiko intervistën në video)
“Unë kam qenë në krah të trajnerit të çekëve sot si përkëthyes. Ata duan të dalin me fitore nga Tirana, por nëse kjo pikë me Shqipërinë do t’i dërgonte në Europian, do të ishin shumë të lumtur edhe me barazim. Mua më kanë intervistuar edhe nga mediat çeke, ata kishin një frikë. Për shkak të lajmeve të dala nga mediat polake, frika e tyre ishte nëse shqiptarët do ta vërshëllenin himnin çek ashtu siç bën edhe me atë të Polonisë. Unë nuk besoj se do të ndodhi një gjë e tillë”, tha Hysi. /Sport Ekspres/