Kristjan Asllani ka luajtur për shumë minuta në finalen e madhe të Superkupës mes Milanit dhe Interit. Pas dëmtimit të Calhanoglu, shqiptari ka hyrë në fushë, por performanca e tij nuk ishte më e mira e mundshme. Pavarësisht avantazhit 2-0 të Interit, në fund Milani përmbysi gjithçka në 3-2. Menjëherë pas ndeshjes, media italiane “Corriere.it” ka bërë vlerësimet e derbit, atje ku Asllani ka marrë notën më të ulët, 4.5.
Asllani është kritikuar shumë jo vetëm për gabimin në golin e parë të Milanit, atje ku u fol shumë edhe sa i përket një faulli të padhënë në ndërhyrjen e Moratës, por njëkohësisht edhe për ndihmën e pakët që ka dhënë Kristjani në mbrojtje dhe pozicionimin e tij. “Impakti i vogël, nëse jo më keq. Humbi topin që solli golin e parë të Milanit. Faull? Ndoshta mund të ishte, por ti duhet të qëndrosh në këmbë aty djalosh, me çdo kusht. Nuk rikuperon kurrë”.