Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot një ndeshje shumë vendimtare për ecurinë e saj drejt Euro 2024 ndaj Çekisë. Kuqezinjtë janë në krye të Grupit E me 10 pikë dhe një rezultat pozitiv ndaj çekëve që i ndjekin me 8 pikë, do e bënte shumë më të thjeshtë rrugëtimin e mëtejshëm të skuadrës së Silvinjos.
Ashtu siç pritej, trajneri Silvinjo ka bërë pak ndryshime në rreshtimin e tij duke i besuar thuajse plotësisht grupit të lojtarëve me të cilët ka përballuar ndeshjet e fundit.
Në portë konfirmohet Berisha si titullar, edhe pse mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Polonisë për shkak të situatës shëndetësore. Ndërkohë, në mbrojtje është Ajeti ai i cili merr vendin e Ismajlit të dëmtuar.
Mesfusha është e pandryshuar, ndërsa në sulm është konfirmuar si në ndeshjen e parë ndaj Çeklsë, treshja me Asanin e Seferin në mbështetje të Çikalleshit.