Notat e Shqipërisë/ Hysaj shpëtoi kokën para golit, Asllani dukej si lojtar i Italisë, Broja i vetëm në shtëpi

Date:

- Advertisement -

Strakosha (6.5): “Të gjithë u befasuan kur panë Strakoshën titullar para Berishës, ishte një tjetër bast i papritur i Silvinjos. Rezultoi brilant duke na shpëtuar në disa raste, ndeshja do të ishte mbyllur para kohe, na mban në lojë deri në fund, përtej ndonjë pasigurie në dalje nga goditja e këndit. Nëse do të kishte dalë në golin e parë të Italisë në atë goditje këndi, sot do të ishte heroi i të gjithë shqiptarëve, por nuk ka asnjë peshë faji”.

Hysaj (4): “Lojtari më i dobët te Shqipëria. Si për ironi, para ndeshjes me Italinë Hysaj u pyet për kritikat rreth tij dhe i buzëqeshur tha se te Kombëtarja nuk vjen për pushime. Një ndeshje skandaloze e shkodranit. Pritej të ishte ndeshja e tij pasi duhej të luante vetëm në mbrojtje, gjë që e ka bërë mirë në shumë raste, jo për për të ndihmuar sulmin. Në golin e dytë të Italisë, do të evitohej, por Hysaj zgjodhi që të hiqte kokën dhe të shpëtonte veten nga goditja e fuqishme, duke lënë golin për Italinë, ndryshe nga Bastoni që u vendos me trup përpara dhe ra në tokë pas goditjes së Asllanit, por shpëtoi një top të rrezikshëm. Di Marco “e skandalizoi” në cdo duel, Hysaj nuk fitoi asnjë të vetëm. Madje në një rast ishte Gjimshiti që hoqi një gol të dytë që do të pësohej për faj të Hysajt, pasi Di Marco i la targën. Supozohej të ishte lojtari me më shumë eksperiencë dhe me një EURO16 të luajtur, por duket se ciklit të Hysajt te Shqipëria po vjen fundi”.

Ajeti (5): “Ishte një surprizë e madhe e Silvinjos, ky i fundit hoqi dorë nga Ismajli që me Gjimshitin bëri një ndër mbrojtjet më të mira të Europës. Por të gjithë u lumturuan pasi Ajeti ka zhvilluar një super performancë në 2016 dhe në miqësore ka qenë i pakalueshëm. Megjithatë ndaj Italisë, nuk ishte më e njëjta siguri. Në disa raste Ajeti ishte në kohë vonese dhe dukej se kundërshtarët vinin nga një kalibër tjetër para tij, pavarësisht gjithë dëshirës për të bërë mirë, por dukshëm nën nivelin e Europianit të Francës atëherë kur ishte një bishë e vërtetë dhe i pakalueshëm, që i zotëron të gjithë kundërshtarët”.

Gjimshiti (7): “Me fat që e kemi kapitenin. Në një moment, në minutat e para kur Italia po sulmonte nga të gjitha krahët, u duk se dhe kapiteni nuk ishte në formën e tij. Megjithatë me kalimin e minutave e mori veten dhe po shpëtonte çdo gabim të Hysajt, të Mitajt dhe të Ajetit. Topi vërshonte nga të katërta anët dhe Gjimshiti ishte aty për ta larguar, thjesht brilant”.

Mitaj (6): “Ndeshje mesatare e Mitajt. Gjithmonë kemi folur për aftësitë e tij brilante dribluese, por ndaj Italisë çaloi në mbrojtje, nuk i mbylli dot kundërshtarët e tij, sidomos në vrullin e Italisë në pjesën e parë. Fitoi më shumë siguri në pjesën e dytë, e kuptueshme, është në një moshë të vogël. Rrezikon në disa raste me driblime mes 4 lojtarëve italianë në zonën e Shqipërisë, kjo duhet të evitohet me çdo kusht”.

Ramadani (5): “Jo gjithmonë futbolli flitet me statistika. Ramadani dukej tërësisht jashtë loje, mesfusha ishte skandaloze ndaj Italisë dhe një peshë e madhe bie mbi Ramadanin. Cdo dëshirë e lojtarëve të Italisë për të shkuar te porta kuqezi përfundonte me suskes. Mungonte presingu, mungonin ndërhyrjet e sakta, pasime e rrezikshme dhe e kot të flasim pastaj për inkursionet sulmuese që i ka bërë në kualifikuese. Ramadani nuk ndezi fare kundër Italisë).

Asllani (7): “Në 25 minutat e para të ndeshjes, nuk shihej fare në fushë. Por meriton një notë kaq të lartë sepse pa të, do të ishim të marrë fund. E rrit ndjeshëm nivelin në pjesën e dytë aq sa dukej si një lojtar i Italisë, por që kishte veshur fanellën e Shqipërisë. Rreshtimi dhe mënyra sesi ne ishim vendosur kundër Italisë gjatë gjithë ndeshjes, të linte përshtypjen se edhe 200 minuta shtesë të tjera të kalonin, nuk do ta kalonim dot kurrë mesfushën pasi nuk kishte asnjë pikë kontakti. Por me shpikjet e tij, Asllani jepte vertikalizime dhe disa pasime që janë thjeshtë me talent, të lindura, përpos ushtrimit. Ishte brilant në këtë punë, me një top nga mbrojtja nxirrte një aksion goli për Shqipërinë, e vetmja mënyrë sesi ne mund të rrezikonim, siç bëri me Rei Manajn ku për pak erdhi barazimi”.

Bajrami (6): “Ky njeri ka hyrë në historinë e Europianit, goli më i shpejt. Një koordinim brilant, fantastik, nga një pozicion thuajse i pamundur. Vërtet mëkat që luan për një ekip aq të vogël si Sasuolo, që nuk i rri përshtat aftësive të tij. Megjithatë pas golit të shënuar, edhe niveli i Nedim Bajramit ra ndjeshëm, shumë pak për t’u mbajtur mend”.

Asani (5): “Nuk ishte kjo mbrëmja e Jasirit, ndoshta ka lënë gjithçka për dy ndeshjet e tjera, me siguri që po. Minutat e pakta, rendimenti fizik jo i mirë dhe presioni i madh i italianëve e vendosën në vështirësi. E kishte edhe më të vështirë për dy arsye të mëdha. Pikësëpari se Shqipëria luajti ndaj Italisë pa mesfushë dhe Asani e kishte të pamundur në këtë moment për të marrë topin i vetëm dhe për të marrë zvarrë këdo i dilte përpara dhe e dyta, ka në krahë Elseid Hysajn. Loja po qarkullohej gjithmonë në krahun tjetër, në të majtin”.

Seferi (6): “E mbani mend Kukelin në 2016? Askush nuk e kuptonte saktë rëndësinë e këtij lojtari dhe të punës së tij, derisa shkoi në rolin e qendër mbrojtësit ndaj Zvicrës. E njëjtë edhe situata e Seferit. Ndoshta nuk është lojtari më i mirë në lojën një kundër një krahasimisht me Mucin dhe Hoxhën, por është e thjeshtë të thuash se duhet Hoxha para tij. Hoxha u aktivizua në një moment të ndeshjes kur Shqipëria po e shikonte topin jo me sy, por po e kontrollonte edhe me këmbë. Shumë më ndryshe nga gjithë ndeshja, që Seferi duhej të kthehej në mbrojtje për të mbyllur aksionet sulmuese të Italisë. Një notë “10” për disiplinën, shpirtin dhe gjithë sakrificën e bërë për të ndalur aksionet e Italisë, si një mbrojtës i krahut të majtë. Më pak për inkursionet sulmuese, edhe pse përtej disa mangësive, e ka në zotërim edhe driblimin. Merrte zgjuarsisht disa rivënie anësore kur rrethohej mes shumë lojtarëve italianë. Është mësuar me të tilla momente, gjithmonë kritikohet dhe është më i padëshiruari nga opinioni, por më i preferuari për Silvinjon”.

Broja (6.5): “Super lojtar! Mëkat vetëm minutat e pakta te Fulham, që nuk e lejojnë të jetë në 100% e tij fizikisht. Luan kundër Italisë i vetëm, pa asnjë shërbim. Për 77 minuta, mesfusha nuk ekzistonte si sektor për të. Një top i gjatë nga Strakosha, topi që përplasej aksidentalisht diku dhe Broja që tërhiqte përpara ekipin duke marrë faulle dhe duke ndëshkuar dy herë italianët me karton të verdhë. Bëri gjithçka i vetëm, më i miri ndër sulmuesit tanë. Por kur as Zoti nuk mundi dot ta shpëtonte këtë Shqipëri në fund me rastin e Manajt, nuk mund ta bënte dot Broja”.

- Advertisement -

Më të lexuarat

Me shume
Related

U arrestua pak ditë më parë në Gjermani, Florian Marku del nga qelia

Boksieri Florian Marku ka lënë qelinë në Gjermani, ku...

Aksident tragjik në Itali, vdes 44-vjeçari nga Durrësi

Një 44-vjeçar nga Durrësi ka humbur jetën si pasojë...