Arrestohet në Itali Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”.
Lezhjani është arrestuar në aeroportin e Malpensas në Milano tre ditë më parë.
Ai ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” dhe ishte në masën “arrest në burg” në mungesë.
Kush është “Leksi i druve”?
Aleksandër Deda, 46 vjeç, është një personazh i njohur në Lezhë, ku njihet si biznesmen.
Deri para vitit 2020, emri i tij nuk ishte dëgjuar kurrë pasi nuk kishte pasur probleme me Policinë e Shtetit.
Por kjo vetëm deri në dhjetor të atij viti, pasi ndaj tij u organizua një atentat që nuk do të ishte i pari për të. Disa të tjerë pasuan, madje një tentativë për vrasjen e tij u planifikua edhe me dron.
Me “çmontimin” e dosjes “Revanshi”, u zbulua edhe arsyeja se përse ndaj tij ishin organizuar disa prita për ta ekzekutuar.
Arsyeja ishte se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dyshonte se “Leksi” kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandrit.
Për Ndokën, Ndreka dhe i biznesmeni tjetër nga Lezha, tashmë i vrarë, Ardian Nikulaj kishin ‘pajtuar’ Durim Bamin për t’i ekzekutuar të vëllanë. Ndaj në dosje, zbulohen planet që Ndoka bënte për të hequr qafe “të fortin e Niklës”, por edhe Ndrekën.
Fillimisht në vitin 2020 në superstradën Lezhë-Laç, ai u plagos në gjoks me armë zjarri, më pas në mars të vitit 2022 u tentua sërish vrasja e tij, por shpëtoi nga një xhup i fryrë dhe me pupla, ndërsa më pas eliminimi i tij u tentua edhe me dron. Mirëpo në asnjë rast, planet e thurura kundër tij patën sukses.