Sylvinho ditën e djeshme la ekipi pushim në mënyrë që skuadra të rifitonte energjitë e shpenzuara në dy miqësoret me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin. Sot do të nisë misioni “anti-Itali”, ku të shtunën në orën 21:00 do të përplasin “brirët” me axurrët.
Ekipi do të zbresë sot në fushën e lojës, ku kuqezinjtë nën urdhrat e Sylvinhos do të nisin përgatitjet për ndeshjen debutuese me italianët. Sot në program janë dy seanca stërvitore, të cilat do të zhvillohen në kampin bazë të Shqipërisë në Kaiserau.
Seanca e parë do të nisë në ora 11:00 dhe do të jetë e hapur 15 minutat e para për median, ndërsa seanca e dytë do të startojë në ora 17:00 dhe do të jetë gjithashtu e hapur për median.
Kujtojmë se kuqezinjtë ia dolën të fitojnë të dyja ndeshjet miqësore. Triumfuan 3-0 ndaj Lihtenshtejnit dhe 3-1 ndaj Azerbajxhanit, duke bërë një paraqitje pozitive që motivon lojtarët para startit të Kampionatit Europian.