Një 22-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Piacenza, Itali.
Mediat italiane raportojnë se 22-vjeçari Eriseldo Neli, mbrëmjen e 5 shkurtit, ishte në timonin e një mjeti tip BMW në hyrje të unazës jugore të autostradës Piacenza Sud kur u përplas ballë përballë me një autobus.
Ka dyshime se i riu shqiptar, ka humbur kontrollin e makinës së tij dhe ajo ka devijuar nga rruga dhe është përplasur kokë më kokë me një autobus që vinte nga drejtimi i kundërt. Nga përplasja me parakolpin e autobusit, pjesa e majtë e BMW-së është shpërbërë tërësisht dhe 22-vjeçari ka përfunduar në sediljet e pasagjerëve dhe më pas në asfalt. Kanë qenë disa motorisë kalimtarë ata që kanë ngritur alarmin dhe kanë njoftuar ambulancën në vendngjarje.
Por kur mjekët mbërritën në vendngjarje, ata deklaruan vdekjen e 22-vjeçarit shqiptar pasi lëndimet dhe traumat e marra ishin shumë serioze.
Shoferi i autobusit ishte i padëmtuar , por i tronditur nga ajo që ndodhi. Si makina ashtu edhe autobusi janë sekuestruar dhe trupi i pajetë i 22-vjeçarit ndodhet në dispozicion të organeve të drejtësisë.